Lidhje

Pensilvania dhe gara e ashpër për Shtëpinë e Bardhë


Pensilvania, e cila ka 21 vota elektorale, ka votuar për demokratët në zgjedhjet e fundit presidenciale por fushata e senatorit Xhon Mekein beson se ende është në gjendje të arrijë fitore në këtë shtet. Megjithëse demokrati Barack Obama kryeson anketat në Pensilvani, zoti Mekein po përdor aty të gjitha mjetet financiare dhe njerëzore dhe po bën vizita të shumta me shpresën se do të shtojë numrin e mbështetësve. Korrespondenti ynë Bill Rodgers ishte në Pensilvania dhe na njeh me përpjekjet që po bëjnë në terren të dyja fushatat për të arritur fitoren.

Në qytetin Allentown të Pensilvanisë, disa thonë se e mbështesin kandidatin Barack Obama kryesisht për shkak të ekonomisë. Amber Miller, nënë e dy fëmijëve të vegjël është një prej tyre.

"Ai e di se çfarë kërkon Amerika më mirë se sa zoti Mekein."

Në muajin prill, Barack Obama nuk arriti t’i bindë shumë nga këta votues kur humbi në zgjedhjet paraprake në këtë shtet ndaj zonjës Hillari Klinton. Ajo fitoi sepse diti të lidhet më mirë me votuesit e bardhë të shtresës së mesme.

Por trani anketat tregojnë një avantazh të ndjeshëm për Obamën megjithëse rivali Mekein nuk dorëzohet.

"Ndjehem mirë që jam këtu në Pensilvania dhe, miqtë e mij, na duhet të fitojmë në Pensilvania më katër nëntor," tha zoti Mekein.

Pensilvania, një shtet i madh pranë Atlantikut, përbëhet nga tokë bujqësore, zona industriale dhe qendra urbane. Ajo është një burim i konsiderueshëm votash elektorale.

Randall Miller, profesor historie në Univesritetin Shën Jozef të Pensilvanisë, thotë se fushatës së zotit Mekein i duhet të vazhdojë përpjekjet për të fituar në këtë shtet.

"Nëse ata japin edhe shenjën më të vogël se po dorëzohen në Pensilvani, kjo mund t’i largojë njerëzit në masë nga kandidati republikan. Kjo do të ishte thuajse një kapitullim i plotë. Pra, në kuptimin e ruajtjes së moralit, të simbolizmit, atyre u duhet të vazhdojnë garën në Pensilvani."

Vullnetarët në zyrën e fushatës së Mekeinit në Montgomery pranë Filadelfias, nuk shfaqin shenja kapitullimi. Traci Dallas-Opdahl është votuese e pavarur, pikërisht ai lloj votuesi që përpiqet të bëjë për vete zoti Mekein.

"Më pëlqen shumë Mekeini dhe idetë e tij sepse ai ka mendjen e tij, mendon me kokën e tij dhe ve interesat e vendit përpara politikës."

Montgomery është një rajon i pasur me shumë votues republikanë. Dhe fushatës së zotit Mkein i duhet të fitojë bindshëm këtu për të balancuar fitoret e pritëshme të Obamës në zona të tjera të këtij shteti, sidomos në Filadelfia ku ka një popullsi të madhe afrikano-amerikanësh.

Por edhe fushata e zotit Obama është aktive në Montgomery. Zyra e fushatës në Ambler është njëra ndër 6 të tilla që ka atje. Ajo është e mbushur me vullnetarë që kontaktojnë votuesit me celularë. Kordinatorja Doreen Davis thotë se kurrë nuk ka parë entusiazëm më të madh se tani.

"Në këtë dhomë ju mund të shikoni mësues shkollash që kanë dalë në pension dhe kanë ardhurnë këtë zonë, ka anëtarë sindikatash të cilët do të punojnë këtu para se të fillojnë turnin e natës në punën e tyre të zakonshme. Pra, është për t’u habitur gjerësia dhe thellësia e fushatës."

Sindikata të tilla si SEIU, kanë mobilizuar qindra anëtarë për të ndihmuar fushatën e senatorit Obama.

Edhe në qytetin Bethlehem, punëtorët e metalurgjisë trokasin derë më derë për Obamën. Por kryetari i sindikatës për këtë zonë, Jerry Green ndjen një farë rezistence, edhe mes njerëzve që zakonisht votojnë për demokratët. Arësyeja, thotë ai, është raca.

"Kam patur biseda me njerëz të ndryshëm dhe e kuptoj arësyen. Ata nuk ma thonë hapur se nuk duan të votojnë për një afrikano-amerikan por kuptohet, unë e ndjej këtë. Nëse Barack Obama do të ishte i bardhë, fitorja do të ishte me shumicë dërrmuese."

Ndërsa për të rinjtë, që përbëjnë 17% të elektoratit, raca nuk duket të jetë faktor.

Megjithatë, të rinjtë jo gjithmonë dalin për të votuar ditën e zgjedhjeve. Sidoqoftë, thotë analisti politik Michael Berkman, duket se Pensilvania do të votojë në favor të zotit Obama.

"Ata mendojnë se do ta fitojnë garën. Kam vënë re se demokratët nuk po shpenzojnë shumë kohë këtu. Kohën më të madhe ata po e shpenzojnë në shtetet që zakonisht votojnë pro republikanëve. Mendoj se do t’i shihnim më shumë demokratët të bënin fushatë këtu nëse ata do ta ndjenin se do të kishin probleme në Pensilvani."

Megjithatë, ashtu si në këtë arenë të Montgomerit, ku ky grup pensionistësh italo-amerikanë luajnë bolling, rezultati i garës në Pensilvani ka mundësi të jetë tepër i ngushtë, njëlloj si këta topa bardhë e blu që hidhen këtu. //ii

XS
SM
MD
LG