Lidhje

Xhouns: SHBA janë për institucione të pavarura në Shqipëri


Zëvendësndihmësi i Sekretarit amerikan të shtetit, Stjuart Xhouns thotë se Shtetet e Bashkuara mbështesin ngritjen e institucioneve të pavarura dhe institucioneve të Drejtësisë në Shqipëri. Zoti Xhouns i cili zhvilloi një vizitë dy ditore në Tiranë i tha Zërit të Amerikës se Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm është shumë e rëndësishme dhe pavarësia e gjyqësorit një vlerë e rëndësishme për demokracinë.

VOA:Zoti Xhouns, faleminderit që pranuat këtë intervistë me Zërin e Amerikës. Disa ditë më parë, Presidenti Bush nënshkroi protokollet e anëtarësimit në NATO të Shqipërisë dhe Kroacisë – një moment shumë i rendësishëm dhe vlerësues për vendin. Si i përkufizoni marrëdhëniet Amerikë - Shqipëri dhe cilat janë pritshmëritë për muajt e ardhshëm?

Xhouns:Faleminderit. Është kënaqësi që jam këtu në Tiranë. Isha i pranishëm në ceremoninë në Shtëpinë e Bardhë, ku Presidenti nënshkroi protokollet. Ishte diçka shumë e gëzueshme, shumë pozitive. Presidenti Bush foli me emocione të vërteta. Ishte shumë i kënaqur me nënshkrimin e protokolleve. Nënkuptimi ishte njohja nga Shtetet e Bashkuara, që Shqipëria është gati të bëhet anëtare e Aleancës së NATO-s. Ne jemi vetëm një aleat i NATO-s. Aleatët e tjerë po kryejnë procesin e tyre të ratifikimit. Por për ne, si amerikanë, ishte një mundësi për të përcjellë mbështetjen tonë për anëtarësimin e Shqipërisë, diçka që e bëjmë me kënaqësi. Siç e dini, ne kemi qenë ndër mbështetësit më të fortë të Shqipërisë. Jemi mirënjohës për kontributet e Shqipërisë për Aleancën, me trupa në Afganistan dhe Irak.

VOA:Ju u takuat me Kryeministrin Berisha dhe kreun e opozitës Edi Rama. Besoj morët dy pamje të ndryshme se si po ecën vendi. Cilat çështje u ngritën në këto takime?

Xhouns:Nuk dëgjova pikëpamje të ndryshme se si po ecën vendi. Dëgjova pikëpamje shumë të ngjashme se si po ecën vendi. Dëgjova nga të dy, entuziazëm për reformat që janë kryer dhe entuziazëm real për anëtarësimin në NATO. Dëgjova prej tyre edhe pikëpamjet e tyre mbi rrugën e Shqipërisë përpara, e cila do të fokusohet tek rritja ekonomike dhe mbështetja për institucionet e pavarura.

VOA:Meqenëse jemi tek institucionet e pavarura, marrëdhëniet mes drejtësisë dhe politikës kanë qenë gjithmonë problem për Shqipërinë. Besoj jeni në dijeni të faktit që çështja është në qendër të debatit aktualisht, sidomos për shkak të përplasjeve mes qeverisë dhe Prokurorisë, por edhe me përfaqësues të gjyqësorit në lidhje me një sërë ligjesh të hartuara nga qeveria. Ka pasur deklarata kritike nga ambasadorët e vendeve të BE-së dhe nga Ambasadori Uidhers mbi situatën. A është i shqetësuar mbi situatën Departamenti i Shtetit?

Xhouns:Shtetet e Bashkuara e mbështesin këtë proces zhvillimi në Shqipëri, ngritjen e institucioneve të pavarura, institucioneve të drejtësisë dhe të tjera, që do të sigurojnë rritje ekonomike dhe politike. Është një proces i natyrshëm zhvillimi. Fërkimet mes gjykatave dhe forcave politike lindin në çdo vend. Por Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin ngritjen e institucioneve të pavarura. Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm është shumë e rendësishme. Pavarësia e gjyqësorit është një vlerë shumë e rendësishme në një demokraci. Siç e thashë, ishte një vlerë që ma shprehën edhe zoti Berisha edhe zoti Rama. Këtë diskutim, në të cilin Shtetet e Bashkuara janë krenare që marrin pjesë, e shohim si një diskutim të natyrshëm, të rendësishëm, dhe që e çon Shqipërinë në drejtimin e duhur.

VOA:Me Kryeministrin Berisha, diskutuat në përgjithësi, apo me hollësi mbi debatet konkrete që vazhdojnë këtu?

Xhouns:Kush e ka takuar Kryeministrin tuaj e di që ka aftësinë të flasë me shumë hollësi. Foli me shumë hollësi mbi situatën, si e shihte ai, për çfarë po punonte, për pavarësinë e gjyqësorit. Nuk folëm mbi problemet si të tilla, folëm mbi vlerën e përbashkët të pavarësisë së gjyqësorit, institucionet e pavarura, përparimin e Shqipërisë në zhvillimin shoqëror dhe ekonomik, si dhe në qënien e një anëtareje me vlerë e Aleancës së NATOs dhe që ecën drejt institucioneve europiane.

VOA:Besoj se jeni në dijeni që në mars të këtij viti, ndodhi një shpërthim në një fabrikë çmontimi municionesh ku vdiqën 26 shqiptarë. Mbi këtë çështje ka një debat që vazhdon në Shqipëri. BE dhe Sh.B.A. kanë vënë në dukje që hetimet mbi çështjen duhet të çohen deri në fund. Sa do të ndikojë ecuria e hetimit në vlerësimin e Departamentit të Shtetit për Shqipërinë?

Xhouns:Është e qartë që Shtetet e Bashkuara e mbështesin hetimin. Është diçka që do të kryejë rrugën e vet. Të gjitha vendet kanë çështje si këto. E rendësishmja është të hetohet, të njihet kush është përgjegjës, dhe të ndërmerren reformat e nevojshme për të shmangur incidente të tilla në të ardhmen. Marrëdhënia Shqipëri-Sh.B.A. nuk varen nga çështje individuale si kjo. Është një marrëdhënie shumë më e fortë. Por populli shqiptar duhet të dijë që Shtetet e Bashkuara. do ta mbështesin Shqipërinë, ndërkohë që ajo kryen hetimin dhe e çon atë drejt përfundimit logjik.

VOA:Paralel me incidentin, pati edhe një kontratë problematike për shitje municionesh nga Shqipëria në Afganistan, përmes një kontrate mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe një kompanie amerikane. U bë publike me anë të artikujve të Nju Jork Taims. Pati edhe një hetim të Kongresit që bëri akuza kundër Ambasadës Amerikane këtu në Tiranë. Departamenti i Shtetit tha se filloi hetimin e vet të brendshëm. Kanë përfunduar këto hetime dhe cilat janë përfundimet e tyre?

Xhouns:Faleminderit për mundësinë për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje. Më lejoni të jem i qartë: asnjë padi nuk është ngritur kundër ambasadës apo ndonjë personeli të saj. nuk ka akuza penale dhe as pretendime për kundravajtje penale. Komiteti Uaksman po ndjek hetimin e tij për çështjen e shitjes së armëve dhe ndonjë përfshirje të mundshme në ambasadë. Ashtu si presim autoritetet shqiptare të ndjekin hetimin e incidentit të Gërdecit në përfundimin e vet logjik, po ashtu presim që Komiteti i Uaksman të bëjë të njëjtën gjë. Kur ai hetim të jetë kryer, dhe çfarëdo hetimi anësor lidhur me të, jam i bindur që përfundimi do të jetë se kjo Ambasadë, nga Ambasadori tek i gjithë personeli, po kryenin pikërisht atë që duhet të bënin, të përfaqësonin në mënyrë të shkëlqyer Sh.B.A. dhe të ndërtonin marrëdhënien dypalëshe Shqipëri-Sh.B.A. në nivelin e shkëlqyer në të cilin ndodhen tani.

VOA:Një problem i ngritur shpesh për Shqipërinë është ai i korrupsionit. Ka pasur dhe disa vlerësime pozitive, si raporti i Transparency International. Megjithatë, thuhet gjithmonë që duhet bërë më shumë. Sipas jush, në ç’drejtim duhet bërë më shumë?

Xhouns:Kur lufton korrupsionin, pavarësisht ku je në botë, ka gjithmonë më shumë që duhet bërë. Korrupsioni gërryen jo vetëm ekonominë e një vendi, por shpirtin, besimin që njerëzit kanë tek autoritetet e tyre dhe shoqëria e tyre. Të gjithë ne si nëpunës publikë kemi për detyrë themelore të luftojmë korrupsionin. Qeveria e Sh.B.A. po punon me qeverinë shqiptare mbi një gamë të gjerë nismash anti-korrupsion. USAID po punon drejtpërdrejt me qeverinë shqiptare për prokurimin elektronik dhe teknika të tjera të teknologjisë së lartë për të luftuar korrupsionin. Pak më parë, dëgjova një raport mbi disa prej këtyre masave. Ekipi ynë është shumë i kënaqur me pranimin nga qeveria dhe homologët shqiptarë të këtyre programeve. Do të ketë një ndikim të madh këtu në Shqipëri.

VOA:Një pyetje të fundit, që nuk lidhet me Shqipërinë por me Kosovën, vendin mët ë ri në botë. Sh.B.A. ka dhënë shumë mbështetje për pavarësinë e Kosovës. Ku mendoni duhet të përqendrohet udhëheqja kosovare në muajt e ardhshëm?

Xhouns:Jemi shumë kenarë që mbështesim Republikën e re të Kosovës. Mund të themi që ka pasur sukses të jashtëzakonshëm në Kosovë qysh nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt. Janë miratuar shumë ligje, zbatimi i planit Ahtisari, një kushtetutë që njeh të drejtat themelore të të gjithë popullsisë së Kosovës, me mbrojtje të posaçme për pakicat. 51 vende e kanë njohur Kosovën. Pra, suksesi që kemi parë këto muaj ka qenë i jashtëzakonshëm. Përgëzoj udhëheqësit e Kosovës por edhe qeverinë shqiptare për mbështetjen e saj. Autostrada Durrës-Kukës që po ndërtohet mes Shqipërisë dhe Kosovës do të jetë një pasuri e madhe për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Këtu mendoj duhet t’i përqendrojmë energjitë tona, tek zhvillimi ekonomik i Kosovës. Disa nga sfidat politike sigurisht mbeten. Por sfida e vërtetë tani është krijimi i vendeve të punës dhe veprimtarisë ekonomike në Kosovë. (ze)

XS
SM
MD
LG