Lidhje

Ndikimi i ekonomisë te zgjedhjet presidenciale 2008


Në këto zgjedhje presidenciale të cilat mund të quhen historike, njëri prej dy kandidatëve do të jetë njeriu që do të drejtojë vendin më të pasur dhe më të fuqishëm të botës. Votuesit do të zgjedhin mes demokratit Barak Obama, kandidati i parë afrikano-amerikan dhe republikanit Xhon Mekein, kandidati më i moshuar në historinë e zgjedhjeve presidenciale dhe hero i luftës, i cili si kandidate për nënpresidente ka zgjedhur një grua.

Pasi të jenë numëruar votat, historianët do të analizojnë faktorët që çuan në zgjedhjen e këtij apo atij kandidati. Por shumë analistë thonë se ka një çështje e cila në këto zgjedhje ka luajtur një rol më të madh se sa raca, mosha apo gjinia dhe kjo është ekonomia amerikane që ndodhet në vështirësi.

Një vit më parë, kur filluan debatet e para mes kandidatëve, pak njerëz i përfytyronin zigzaket që më në fund do t’i jepnin garës presidenciale që ka tani. Sot, dy janë njerëzit njëri prej të cilëve është gati të bëjë histori, ndërkohë që secili prej tyre ka kaluar provën tepër të vështirë të demokracisë.

“Senatori Obama kandidon për postin e Kryeshpërndarësit Suprem. Unë kandidoj për postin e Komandantit Suprem”, thotë Xhon Mekein”.

“Nëse Xhon Mekein dëshiron një debat se kush ka temperamentin dhe gjykimin për të qenë kamandanti i ardhshëm suprem, jam gati ta bëjmë këtë debat,” deklaron Obama”.

Por ndonëse gara ishte pothuajse e barabartë pas kuvendeve kombëtare të dy partive, disa ngjarje ndikuan që baraspesha mes kandidatëve të prishej në favor të njërit prej tyre.

Nathan Gonzales është drejtor pranë grupit Rothenberg Political Report.

“Mendoj se ishte ekonomia ajo që e ndryshoi këtë nga një garë ku zoti Mekein ende kishte shanse megjithë vështirësitë e republikanëve, në një avantazh të skajshëm për demokratët”.

Të ndihmuara nga kriza e kreditit, problemet financiare në Uoll Strit e ndryshuan dinamikën e garës. Profesori Robert Xhonson në Universitetin George Washington shpjegon se si, papritur, çështjet e luftës në Irak, të sigurisë dhe të politikës së jashtëme u zëvendësuan nga ekonomia. “Ç’do të ndodhë me bankën time, me paratë që kam në fondin e pensionit? A do të kem para për t’i dërguar fëmijët në universitet? A do të kem një punë”?

Shumë amerikanë fajësuan partinë në fuqi, republikanët, për rënien e aksioneve dhe vlerës së shtëpive të tyre. Edhe pse demokratët kanë kontrolluar të dyja dhomat e Kongresit në dy vitet e fundit, gazetari Alex Burns thotë se e gjithë kjo ishte në avantazh të Barak Obamës.

“Kur firma Lehman Brothers shpalli falimentin, u hap një debat i madh mbi planin e shpëtimit financiar. Mendoj se kjo filloi të kristalizojë në mendjen e shumë njerëzve se sa keq ishin punët dhe për një kandidat si Obama kjo ishte një ndihmë e madhe sepse mesazhi i tij në fushatë ishte ndryshimi”.

“Nesër do të pezulloj fushatën dhe do të kthehem në Uashington”.

Ideja e Senatorit Mekein për të pezulluar fushatën për të ndihmuar në miratimin e paketës së shpëtimit financiar prej 700 miliard dollarësh vetëm sa i theksoi më shumë kontrastet mes dy kandidatëve.

Zoti Obama refuzoi ta pezullojë fushatën.

“Ka momente kur bëhet politikë por ka momente kur duhet të ngrihemi mbi politikën dhe për të bërë atë që kërkon vendi”.

Megjithë përpjekjet republikane për ta përshkruar Obamën si njeri pa përvojë, zoti Johnson thotë se paraqitja e senatorit në të tre debatet televizive ndikoi gjithashtu në forcimin e përshtypjeve pozitive për të.

“Gjatë debateve ai ishte i qetë dhe gjakftohtë, foli mjaft mirë dhe e mbrojti veten ndaj sulmeve, të cilat nuk kishin lidhje me problemet të cilat shqetësonin publikun”.

Megjithëse Obama kryeson në disa anketa, strategët e fushatës së zotit Mekein thonë se sondazhet e brendëshme tregojnë se gara është e paparashikueshme.

Por pavarësisht se cili do të fitojë, ndryshimi do të vijë në Uashington.

Ekspertët politikë mendojnë se sfida më e madhe për presidentin e ardhshëm do të jetë shërimi i ekonomisë amerikane në rënie. (ze)

XS
SM
MD
LG