Lidhje

Rusia: Arsenali bërthamor është i sigurt


Rusia tha se arsenali i saj bërthamor është i sigurtë, duke iu kundërvënë kështu shqetësimeve të shprehura nga Shtetet e Bashkuara. Përmes një deklarate, Ministria e Jashtme e Rusisë, i cilësonte shqetësimet amerikane si “komente denigruese të pabazuara”.

Në deklaratë thuhet se megjithë vështirësitë e mëdha financiare të viteve ’90 me të cilat u ndesh Rusia, siguria e arsenalit bërthamor të vendit mbeti e lartë. Deklarata ishte në përgjigje të komenteve të bëra nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes Robert Gejts, në fillim të javës.

Gjatë një konference në Uashington zoti Gejts shprehu shqetësim se armë bërthamore ruse mund të kenë rënë në duar të organizatave terroriste ose shteteve të papërgjegjshme, gjatë viteve kaotike që pasuan shpërbërjen e ish Bashkimit Sovjetik./al/

XS
SM
MD
LG