Lidhje

Si e zgjedhin amerikanët presidentin?


Pas disa muajsh të mbushura me lajme dhe reklama për zgjedhjet, amerikanët, do të duhet të zgjedhin të martënse kë duan që t’i drejtojë Shtetet e Bashkuara gjatë katër viteve të ardhshme.

Për ata që janë besnikë të një partie, vendimi për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm është i lehtë. Shumica e kanë ditur prej kohësh se për kë do të votojnë ditën e zgjedhjeve.

“Unë gjithmonë votoj për demokratët sepse pajtohem me mendimet e tyre.”

Por analistja politike Doti Linç në Universitetin Amerikan thotë se disa votues të pavarur ndoshta ende nuk kane vendosur se per kë do votojnë

“Shumë njerëzve u pëlqejnë të dy kandidatët, prandaj ata po përpiqen të kuptojnë se cili do të bëjë diçka për çështjet që u interesojnë atyre më shumë.”

Ekonomia është çështja kryesore për shumicën e amerikanëve. Anketat tregojnë se demokrati Barak Obama ka epërsi ndaj republikanit Xhon Mekejn në këtë çështje.

“Barak Obama duket më i zgjuar për këto lloj çështjesh. Zoti Mekejn ka luftuar dhe mua më pëlqen për shumë gjëra, por duke marrë parasysh situatën, unë do të votoj për Barak Obamën.”

Por disa amerikanë janë të shqetësuar për çështje të tilla, si për shembull nëse gratë duhet të vazhdojnë të kenë të drejtën e abortit dhe nëse duhet të lejohen martesa mes dy njerëzve të të njëjtit seks.

“Unë do të votoj për senatorin Mekejn. Çështjet e rëndësishme për mua janë ato morale dhe etike, dhe unë kam lexuar për qëndrimet e të dy kandidatëve mbi këto çështje dhe bindjet e zotit Mekejn janë më të përafërta me të mijat.”

Analistja Doti Linç thotë se njerëzit po e marrin shumë seriozisht këtë garë presidenciale, si dhe votën e tyre...Ata, thotë ajo, duan të sigurohen tamam se kandidati që zgjedhin do të jetë në gjendje të zgjidhë problemet më të rëndësishme për ta. Kjo zgjedhje bazohet kryesisht në mënyrën se si kandidatët thonë se do t’i zgjidhin problemet.

“Nuk mendoj se ndonjëri prej tyre mund t’i zgjidhë të gjitha çështjet si president, prandaj unë po përqendrohem tek gjykimi i tyre.”

Disa amerikanë thonë se janë të kënaqur që një afrikano-amerikan si Barak Obama mund të bëhet president. Të tjerë shprehin dyshim nëse duan t’ia japin votën një afrikano-amerikani. Ndërsa disa të tjerë thonë se ky fakt nuk përbën ndonjë problem.

“Unë zakonisht ndjek instinktin tim, se cili mund të jetë njeri më i mirë, apo cilit mund t’i besoj më tepër.”

Megjithatë, amerikanët e marrin pjesën më të madhe të informacionit nga televizioni. Por ka edhe burime të tjera.

“Kam lexuar sa më shumë gazeta që mundesha. Dhe kam biseduar me njerëz që punonin me fushatat.”

Edhe Miçell Kuper thotë se lexon shumë dhe se qënia në Uashington i ka dhënë mundësinë të dëgjojë mendimet e njerëzve të ngritur dhe të respektuar .

Media tradicionale konsiderohet e njëanshme prej shumë njerëzve. Kjo grua thotë se media nuk është objektive dhe anon në çdo rast nga njëri kandidat. Por për ta balancuar këtë njëanshmëri, disa njerëz u drejtohen burimeve të ndryshme. Të rinjtë kanë prirjen të përdorin internetin.

“Unë i kam kërkuar në Google qëndrimet e ndryshme të kandidatëve.”

Por deri tani, Doti Linç thotë se shumica e amerikanëve e kanë vendosur tashmë cilin kandidat ata duan të shkojë në Shtëpinë e Bardhë. //kk//

XS
SM
MD
LG