Lidhje

Çfarë mban të fshehur e ardhmja?


Ndërkohë që vitit 2008 po i vjen fundi, është koha për t’i hedhur sytë pas dhe gjithashtu për të parë se çdo të sjellë e ardhmja. Kjo është puna e Shoqërisë për të Ardhmen e Botës. Çdo vit, revista e këtij grupi e cila titullohet “The Futurist”, publikon parashikimet e saj kryesore për vitet dhe dekadat e ardhshme. Parashikimet do të përfshijnë ndryshimet në fushën e teknologjisë, mjedisit dhe shoqërisë.

E ardhmja mund të jetë e frikshme. Një nga parashikimet thotë se çdo gjë që thuhet dhe bëhet do të regjistrohet deri në vitin 2030. Një tjetër parashikon lloje të tjera luftërash biologjike që do të bazohen në organizma të modifikuara gjenetikisht.

Por teknologjitë e së ardhmes do të ofrojnë edhe zgjidhje për problemet e së ardhmes. Ndryshimi i klimës, për shembull, do të pakësojë sasinë botërore të ujit të pijshëm. Por kryeredaktori i revistës Futurist, Patrik Takër, thotë se mund të gjenden mënyra të tjera për t’a përmbushur kërkesën për ujë të pijshëm.

“Do të dëgjojmë gjithnjë e më tepër për neutralizimin e kripërave si mënyrë për të luftuar mungesat e ujit, dhe nano-teknologjia do të ndihmojë për këtë ... Ky është vetëm një shembull i një teknologjie që normalisht nuk do të mendohej se mund të kishte lidhje me mjedisin, por që në fakt do të na ndihmonte të mbijetonim në një mjedis me sasi të kufizuara uji dhe që do ta ndihmonte civilizimin të vazhdonte të zhvillohej edhe në një situatë të tillë.”

Një nga prirjet e mëdha sociale të shekujve të fundit – urbanizimi – parashikohet të vazhdojë të rritet në dekadat që vijnë. Zoti Takër shpjegon se urbanizimi nuk ka të bëjë vetëm me transferimin e njerëzve në qytete.

“Nga një pikëpamje më e gjerë ekonomike, kjo do të thotë se njerëzit po lëvizin nga një ekonomi bujqësore në një ekonomi industriale, më moderne. Por nuk ka dyshim se ekonomia jonë do të zhvendoset gjithnjë e më tepër nga ekonomia bujqësore tek ajo urbane. Më shumë njerëz do të transferohen drejt qendrave urbane. Dhe nga kjo del se urbanizimi do të arrijë në 60 përqind deri në vitin 2030.”

Të gjithë këta njerëz do të kenë nevojë për shërbime të specializuara, dhe futuristët thonë se procesi i kualifikimit të tyre do të bëhet gjithnjë e më tepër, jo përmes librave në klasë, por me simulime të ngjashme me lojërat elektronike. Kjo do të thotë se kurset më të mira do të jenë tani kudo.

“Kjo bën të mundur që njerëzit të marrin përvojë të menjëhershme në procedurat mjekësore për të cilat më parë do të duhej të shkoje në një kampus të madh për ta bërë këtë.”

Makinat dhe kamionët do të vazhdojnë të ekzistojnë, por e ardhmja mund të ketë komunikacion më të mirë që do ta pakësojë nevojën e udhëtimit.

“Kur ekonomia funksionon, më shumë njerëz kalojnë kohën duke u argëtuar, megjithëse kjo mund të mos duket se po ndodh për momentin, por faktikisht, pavarësisht se duket sikur koha është humbur gjatë 10 viteve të fundit, koha që njerëzit kalojnë duke u argëtuar ka mbetur e njëjtë. Ne kalojmë rreth 40 orë në javë duke u argëtuar, dhe kjo është një nga arsyet pse udhëtimi mund të jetë një nga pikat e ndritshme të së ardhmes.”

Kina mund të bëhet më fetare si kundërveprim ndaj ndryshimeve dramatike në shoqërinë kineze. Në të njëjtën kohë, futuristët thonë se Lindja e Mesme mund të bëhet më laike, ndërsa interesi tek feja do të vazhdojë të bjerë në Shtetet e Bashkuara.

Bujqit mund të ndihmojnë në reduktimin e gazeve të dëmshme duke përdorur praktika më të mira për mjedisin. Në të ardhmen do të ketë më shumë uzina bërthamore dhe rreth 1,000 do të operojnë deri në vitin 2025. Alternativa të tilla si energjia e erës dhe ajo diellore do të shtohen, por jo aq shumë.

Revista The Futurist parashikon se konsumatorët do të fillojnë t’i marrin vendimet për artikujt që do të blejnë duke u bazuar në faktorët etikë, duke përfshirë praktikat e bamirësisë dhe të punësimit të kompanisë nga e cila blejnë.

“Konsumatorët do të kenë mundësinë të informohen më mirë para se të zgjedhin nëse duan ta blejnë një produkt dhe nëse ai i përshtatet vlerave të tyre.”

Dhe së fundi, redaktori i revistës Patrik Takër thotë se do të ketë rritje të aktivitetit seksual të njerëzve. Kjo do të ndodhë pjesërisht se gratë do të jenë më të lira në shprehjen e dëshirave të tyre seksuale. Megjithatë, ai thotë se kjo do të jetë edhe për shkak të rritjes së jetëgjatësisë.

“Sa më gjatë të jetosh, aq më tepër kohë do të kesh për marrëdhënie seksuale. Ndërkohë që për njerëzit që do të lindin pas 30 vjetësh jetëgjatësia mund të arrijë në 130 vjeç, mund të imagjinohet një aktivitet seksual i pakufizuar për të paktën 120 vjet.”

Patrik Takër është kryeredaktori i revistës The Futurist. Parashikimet e tjera mund t’i gjeni në faqen e tij të internetit wfs.org ose të lidheni me të përmes faqes sonë voanews.com.//kk//

XS
SM
MD
LG