Lidhje

Kandidatët për President, Mekein dhe Obama fushatë deri në momentet e fundit


Kandidati demokrat për president Barak Obama dhe kandidati Republikan Xhon Mekein po bëjnë përpjekjet e fundit për mbështetje para zgjedhjeve të nesërme.

Senatori Obama e filloi ditën sot në shtetin e rëndësishëm të Floridës, ku u bëri thirrje të pranishmëve në një tubim entuziast të vazhdojnë përpjekjet deri në mbylljen e qendrave të votimit të martën. Qendrat e para të votimit hapen në mesnatë në dy qytete të vogla në shtetin Nju Hamshire.

Anketat e fundit tregojnë se zoti Obama kryeson ndaj kandidatit republikan. Nga ana e tij, senatori Mekein do të organizojë sot mitingje në 7 shtete. Në Florida ai u tha përkrahësve të tij se po e ngushton diferencën dhe siç u shpreh ai “republikanët do t’i fitojnë këto zgjedhje”. Më pas ai shkoi në shtetin Tenesi dhe udhëtimin do ta përfufndojë në shtetin e tij të Arizonës, ku do të zhvillojë një miting në mesnatë.

Veç Floridës kandidati demokrat Barak Obama do të zhvillojë fushatë edhe në Karolinën e Veriut dhe në Virxhinia. Të tre këto shtete votuan për presidentin Bush në dy zgjedhjet e fundit.

Një mesatare e anketave të fundit në nivel kombëtar, e hartuar nga organizata Real Clear-dot-com, tregon se Barak Obama kryeson ndaj Xhon Mekeinit me rreth 7 pikë.

Sipas kësaj qendre Barak Obama mund të sigurojë numrin e duhur të votave të kolegjit elektoral për të fituar presidencën.

Në sistemin amerikan, çdo shtet ka një numër të caktuar votash elektorale në varësi nga popullsia dhe përfaqësimi në Kongres. Për të fituar, një kandidat duhet të marrë të paktën 270 vota të tilla.//kk//

XS
SM
MD
LG