Lidhje

Numër rekord i votuesve të parakohshëm në 26 shtete amerikane

  • Sindi Sejn
  • Uashington

Një numër rekord votuesish këtu në Shtetet e Bashkuara kanë votuar tashmë në votimet e parakohshme. Më shumë se 28 milionë votues kanë hedhur votën e tyre në 34 shtete të Amerikës që lejojnë votimin e parakohshëm. Statistikat zgjedhore dhe një anketë e fundit tregojnë se në votimin e parakohshëm kanë marrë pjesë më shumë votues demokratë sesa republikanë. Në disa shtete, numri i lartë i votuesve i ka detyruar ata të presin në radhë të gjata. Në vazhdim do të ndiqni një vështrim të proçesit të parakoshëm të votimit:

Majkëll Mekdonald është ekspert zgjedhjesh në Universitetin “George Mason” në Virxhinia.

Ai thotë se të dhënat nga zyrtarët shtetërorë dhe lokalë tregojnë se këto janë zgjedhjet amerikane me numrin më të madh të votuesve të parakohshëm.

"Kemi statistika, sipas të cilave 28.8 milionë amerikanë kanë votuar deri më tani. Presim që në votimin e parakohshëm të marrin pjesë 40 milionë vetë. Kështu do të kenë votuar rreth 30 për qind të 136 milionë votuesve që pritet të votojnë,”- tha zoti Mekdonald.

Zoti Mekdonald thotë se nëse 136 milionë amerikanë do të votojnë, kjo do të thotë se 64 për qind e elektoratit do të kenë marrë pjesë në votime.

Deri mbrëmë vonë, sipas të dhënave statistikore, numri i votuesve të regjistruar si demokratë ka qenë më i madh sesa i votuesve të regjistruar si republikanë, që kanë hedhur votat e tyre në 26 shtetet ku ka pasur votime të parakohshme.

Përkatësia politike nuk do të thotë që votuesit domosdoshmërisht do të votojnë për kandidatin e tyre. Por analistët vënë re që në disa shtete, të dhënat e para i japin epërsi kandidatit demokrat Obama. Sipas tyre, kjo është me rëndësi, pasi votimi i parakohshëm tradicionalisht ka favorizuar republikanët.

Sipas një ankete të organizuar nga gazeta Uashington Post dhe televizioni ABC News, 30 për qind e votuesve kanë hedhur votën e tyre, nga të cilët 60 për qind thonë se kanë votuar për kandidatin Obama dhe 40% thonë se kanë votuar për kandidatin Mekein.

Sipas zotit Majkëll Mekdonald të Universitetit “George Mason”, numri i madh i votuesve në votimin e parakohshëm ka shkaktuar probleme me sistemin e votimit.

"Çfarë po ndodh, është se zyrtarë lokalë zgjedhore kanë pasur në dispozicion vetëm një numër të kufizuar qendrash për votimin e parakohshëm. Në disa shtete, shumë qendra votimi është dashur të qëndrojnë hapur më gjatë se ç’ishte menduar dhe po kështu atyre u është dashur të hapin një sërë qendrash votimi të tjera."-thotë ai.

Disa votues kanë qëndruar në radhë deri në 10 orë për të hedhur votat e tyre dhe kjo ka bërë që disa analistë të ngrejnë shqetësimin e tyre në lidhje mbi radhët e mundshme me të cilat votuesit do të përballen sot.//lk

XS
SM
MD
LG