Lidhje

SHBA: Zgjedhjet e sotme janë historike, cilido qoftë rezultati

  • Xhim Malone
  • Uashington

Amerikanët po votojnë sot në zgjedhje historike për presidentin e 44 të vendit, qoftë ai demokrati Barak Obama, apo republikani Xhon Mekein. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Xhim Malone na sjell hollësitë e orëve të fundit të garës presidenciale të këtij viti, që është më e gjata dhe më e kushtueshmja në historinë e fushatave:

Të dy kandidatët e shfrytëzuan ditën e fundit të fushatës për t’ju drejtuar votuesve në kërkim të mbështetjes së tyre.

Senatori Obama ishte djenë një miting në Florida, shteti në saje të të cilit Presidenti Bush siguroi fitoren në vitin 2 mijë.


“Kjo ishte një fushatë 21 muajshe e gjatë, që na ka çuar nga brigjet shkëmbore të Meinit në veri të vendit, në diellin e Kalifornisë. Jemi vetëm një ditë larg ndryshimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës!”


Senatori Obama, po ashtu ishte dje në Karolinën e Veriut dhe në Virxhinia, shtete që kanë votuar historikisht për kandidatët republikanë.


Republikani Xhon Mekein pati një ditë edhe më të ngjeshur dje, duke u përqëndruar në 7 shtete, të cilat janë kyç për fitoren: Pensilvania, Indiana, New Mexiko, Nevada dhe Florida.


"Ne kemi nevojë për ndihmën tuaj dhe kemi për të fituar! Dilni vullnetarë, shkoni nëpër lagje dhe kërkojuni fqinjëve të shkojnë në votime! Unë kam nevojë për votën tuaj! Ne duhet t’i sjellim ndryshimin e vërtetë Washingtonit dhe duhet të luftojmë për këtë!"- tha zoti Mekein.


Megjithë besimin e tij, Senatori Mekein do ta ketë të vështirë të sigurojë Shtëpinë e Bardhë. Zoti Obama e udhëheq garën me zotin Mekein me rreth 7 për qind, bazuar në anketimet kombëtare të publikut.


Veç kësaj, zoti Mekein është përpjekur të ruajë mbështetjen e zgjedhësve të një numri shtetesh tradicionalisht republikane. Që t’i fitojë zgjedhjet, presidenti i ardhshëm duhet të sigurojë numrin e nevojshëm të votave elektorale, që janë përcaktuese për fitoren.

Kandidatit që fiton zgjedhjet i duhet të sigurojë një minimum prej 270 nga të 538 votat elektorale për të siguruar fitorene e Shtëpisë së Bardhë.


Senatori Obama ka gjetur më tepër mbështetje se rivali i tij në disa shtete, ku në dy zgjedhjet e fundit fitoi Presidenti Bush, mes tyre Florida, Ohio, Kolorado, Indiana dhe Virginia.


Zgjedhjet e sotme janë historike, cilido qoftë rezultati i tyre. Senatori Obama po përpiqet të bëhet Presidenti i parë afrikano-amerikan i vendit. Senatori Mekein, i cili është 72 vjeç, në se zgjidhet, do të jetë presidenti i parë më i moshuar që zgjidhet në një mandat të parë. Në se zgjedhjet i fitojnë republikanët, përsëri do të ishte një ngjarje historike, sepse do të zgjidhej e para grua nënpresidente në historinë e Amerikës, Sara Pejlin.//lk





XS
SM
MD
LG