Lidhje

SHBA: Demokratët fitojnë vende në Senat dhe Dhomën e Përfaqësuesve


Partia Demokrate fitoi edhe vende të tjera në Kongresin amerikan në zgjedhjet e djeshme. Në Senat, demokratët u zunë vendin disa senatorëve republikanë, si dhe vendet e senatorëve republikanë që dolën në pension.

Në zgjedhjet e djeshme historike të fituara nga kandidati demokrat Barak Obama, demokratët fituan vende edhe në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit.

Një prej senatorëve të rinjë është zonja Kej Hejgën nga Karolina e Veriut, e cila fitoi ndaj Senatores republikane, Elizabeth Dole. Gjatë një gare të ashpër, Hejgën e quajti zonjën Dole të paefektshme, ndërsa Senatorja Dole e quajti zonjën Hejgën individ “pa fe”. Senatorja Dole tha në fjalimin e humbjes se nuk ishte trajtuar drejt.

"Njerëzit nga zona të largëta dhanë dhjetra miliona dollarë në Karolinën e Veriut, për të financuar reklama të ashpëra, të padrejta dhe negative kundër meje. Unë u jam kundërpërgjegjur atyre me forcë”.

Në shtetin jugor të Virxhinias, ish guvernatori demokrat, Mark Uorner, fitoi në zgjedhjet e Senatit amerikan ndaj kandidatit republikan.

"Ky është një hap që tregon se vendi është kthyer në drejtimin e duhur”.

Senatori republikan Xhon Sununu humbi vendin në senat në Nju Hempshir ndaj demokrates Xhejn Shahin.

"Populli i Nju Hempshirit e tha fjalën e vet në kutinë e votimit. Ai u shprej me forcë dhe qartë për një drejtim të ri”. Për shumë votues drejtim i ri do të thotë përmirësim i ekonomisë amerikane.

Ja si shprehet Nejthën Gonzales i Rothenberg Political Report, një fletore jo-partiake që mbulon politikën amerikane.

"Fokusimi në çështjet ekonomike ishte një pikë e madhe kthese”.

Ai tha se demokratët fituan avantazh duke fajësuar republikanët për problemet ekonomike të vendit.

"Kalimi nga çështjet ndërkombëtare në ato ekonimike ishte një tjetër pikë kthese. Ato filluan me ngritjen e çmimeve të benzinës dhe arritën kulmin me krizën ekonomike në Uoll Strit dhe me mbylljen e bankave. Kjo krizë duhet të ishte trajtuar në Kapitol”.

Në tetor, Kongresi miratoi një paketë financiare prej 700 miliardë dollarësh për të nxjerrë sistemin financiar nga kriza.

Por besimi i konsumatorëve ka rënë në nivelin më të ulët në dy dekadat e fundit, siç ka rënë edhe produktiviteti e ekonomisë.

Brajan Darling është analist i veprimtarisë së Kongresit në Fondacionin Heritage in Uashington. Ai thotë se fitorja e Senatorit Obama dhe rritja e numrit të vendeve të demokratëve në Kongres, i jep presidentit të ri mbështetjen që i duhet për të vënë në jetë axhendën e tij.

"Për shembull, Obama premtoi gjatë fushatës uljen e taksave, reformën e shërbimit shëndetsor si dhe premtoi tërheqjen e trupave nga Iraku, prandaj do të jetë interesnate të shikohet se si Presidenti Obama do të bashkëpunojë me Kongresin e kontrolluar nga demokratët për të tërhequr trupat nga Iraku”.

Popullariteti i Presidentit Bush ka rënë në nivelin më të ulët, faktor ky që i ndihmoi demokratët në këto zgjedhje.

Por disa republikanë i mbajtën vendet e tyre në Kongres, si udhëheqësi i pakicës, Miç Mekonëll, i cili fitoi një garë të ngushtë në Këntaki.

"Unë nuk do t’ju lë të zhgënjyer. Unë jua dedikoj juve këtë fitore”.

Demokratët kishin për herë të fundit kontrollin e Shtëpisë së Bardhë dhe të Kongresit në të njejtën kohë, në fillim të viteve 90-të në administratën e presidentit Bill Klinton. //iç//

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG