Lidhje

Zgjedhja e Barak Obamës president shënon hapjen e një kapitulli të ri në historinë amerikane


Barak Obama, presidenti i 44-t i Shteteve të Bashkuara fitoi zgjedhjet me shumicën dërmuese të kolegjit elektoral dhe me shumicën e votave popullore ndaj rivalit të tij republikan, heroit amerikan Xon Mekein. Fitorja e Senatorit demokrat nga Illinoi, presidenti i parë afrikano-amerikan i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shënon hapjen e një kapitulli të ri në historinë amerikane dhe realizimin e kredos "të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë me të drejtën e patjetërsueshme për jetën, lirinë dhe lumturinë". Barak Obama do të bëjë betimin si president më 20 janar 2009.

Duke folur në Çikago, para rreth 100 mijë përkrahësve entuziastë, presidenti i sapozgjedhdur Barak Obama tha se dita e djeshme jo vetëm që ndryshoi historinë, por ndihmoi për të sjellë një epokë të re.

"U desh shumë kohë, por sonte, ajo që arritëm me këto zgjedhje, në këtë moment vendimtar, erdhi ndryshimi në Amerikë".

Zoti Obama tha se miliona amerikanë iu përgjigjën fushatës së tij.

"Është përgjigja e dhënë nga të rinjtë dhe të moshuarit, të pasurit dhe të varfërit. Demokratët dhe republikanët, të bardhët dhe ata me ngjyrë, hispanikët, aziatikët, të mundurit e të pamundurit – amerikanët i dërguan mesazh botës se ne nuk jemi thjesht një grumbull individësh ose një grup i shteteve të kuqe dhe blu, ne jemi dhe do të jemi gjithmonë Shtetet e Bashkuara të Amerikës".

Më parë rivali republikan i zotit Obama, senatori Xhon Mekein uroi presidentin e zgjedhur.

"Populli amerikan e dha mendimin dhe foli qartë".

Zoti Mekein tha se ai do të punojë me zotin Obama.

"Këto janë kohë të vështira për vendin tonë dhe unë u premtoj sonte se do të bëjë gjithçka për ta ndihmuar atë të na drejtojë në sfidat me të cilat përballemi".

Në fund të fundit, premtimi i zotit Obama për ndryshim i frymëzoi amerikanët. Ky premtim kapërceu vitet e gjata të përvojës së zotit Mekein dhe pretendimin e tij se zoti Obama ishte i papërgatitur për të drejtuar vendin.

Gjatë fushatës, zoti Mekein u përpoq ta distanconte veten nga presidenti George Bush, popullariteti i të cilit kishte rënë nga lufta në Irak dhe kriza financiare.

Anketat para-zgjedhore treguan se votuesit besonin më shumë tek zoti Obama për të rimëkëmbur ekonominë.

Stephen Wayne është profesor i shkencave politike në universitetin Georgetown. Ai thotë se zoti Obama grumbulloi një koalicion tradicional të partisë demokrate dhe fitoi përkrahësit e kandidates tjetër demokrate, senatores Hillary Clinton.

"Barak Obama grumbulloi koalicionin demokratik, gratë me ngjyrë, bëri për vete punëtorët, dhe nxorri në votime një numër të madh afrikano-amerikanësh".

Në mbarë vendin, amerikanët votuan në numër rekord.

Gara ishte gjithashtu më e kushtueshmja në historinë amerikane, me kandidatët që grumbulluan më shumë se një miliardë dollarë. //iç//

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG