Lidhje

Barak Obama zgjidhet president i Shteteve të Bashkuara


Barak Obama u bë presidenti i parë afrikano-amerikan i Shteteve të Bashkuara.

Senatori demokrat hyri në histori duke marrë shumë më tepër se sa 270 votat elektorale që duheshin për të fituar Shtëpinë e Bardhë. Pas shpalljes së rezultatit në të gjitha shtetet me përjashtim të katër prej tyre, presidenti i zgjedhur arriti të grumbullojë 338 vota elektorale kundrejt 159 të rivalit të tij republikan, Senatori Xhon Mekein.

Qindra mijra simpatizantë të Obamës shpërthyen në brohoritje dhe në lot gëzimi në një miting të madh në Çikago kur rrjetet televizive shpallën njoftimin.

Më pas, presidenti i zgjedhur doli në skenë me bashkëshorten dhe dy vajzat për të folur para njerëzve që ishin përfshirë nga gëzimi dhe që valvitnin flamuj. “Në këtë moment përcaktues, ndryshimi erdhi në Amerikë,” deklaroi zoti Obama . “Zgjedhjet, tha ai, provojnë se Amerika është vendi ku gjithçka është e mundur."

Zoti Obama i bëri thirrje vendit të bashkohet dhe paralajmëroi se Amerika përballet me sfida të mëdha. Por presidenti i zgjedhur tha se shpreson se një agim i ri i udhëheqjes amerikane është shumë pranë.

Para kësaj, senatori Mekein pranoi humbjen në shtetin e tij Arizona, duke u thënë përkrahësve se senatori Obama ka arritur një gjë të madhe për veten dhe për vendin. Zoti Mekein tha se i kishte telefonuar zotit Obama për ta uruar dhe u zotua ta mbështesë presidentin e sapozgjedhur për ta drejtuar vendin në këtë periudhë të vështirë.

Fitorja e zotit Obama i jep fund 8 viteve të kontrollit republikan të Shtëpisë së Bardhë nën Presidentin Bush.

Ai do të jetë presidenti i parë afrikano-amerikan në hiostorinë 232 vjeçare të Shteteve të Bashkuara. Zoti Obama do ta bëjë betimin si president më 20 janar 2009.

Anketat tregojnë se fushata e zotit Obama mori një shtytje me rëndimin e krizës ekonomike amerikane. Në mënyrë të përsëritur ai i lidhi politikat ekonomike të zotit Mekein me politikat jopopullore të presidentit republikan Xhorxh Bush.

Senatori Mekein u përpoq ta distanconte veten nga Presidenti Bush.
XS
SM
MD
LG