Lidhje

SHBA, e zhgënjyer nga planet ruse për dislokim raketash


Shtetet e Bashkuara u shprehën të zhgënjyera nga vendimi i Rusisë për të vendosur raketa me rreze të shkurtër veprimi në kufi me Bashkimin Evropian. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Shon Mekormak tha se zyrtarët amerikanë kanë bërë përpjekje të shumta për t’iu përgjigjur shqetësimeve ruse lidhur me sistemin e mbrojtjes nga raketat që ka në plan të vendosë administrata amerikane në Poloni dhe në Republikën Çeke. Zëdhënësi ritheksoi garancitë amerikane se sistemi nuk ka si objektiv Rusinë, por shtoi se Moska ka vendosur tashmë t’i bëjë qëndresë këtij sistemi. Presidenti rus Dimitri Medvedev tha të mërkurën në fjalimin e parë mbi gjendjen e vendit se do t’i vendosë raketat në rajonin e Kaliningradit.

Administrata e Presidentit Bush theksoi përsëri se sistemi i planifikuar për mbrojtje nga raketat nuk do të minonte sistemin strategjik rus të mbrojtjes dhe shprehu zhgënjim që Moska duket e vendosur të përgjigjet me masa hakmarrëse.

Komentet e administratës pasojnë një fjalim të Presidentit rus Dimitri Medvedev, ku ai u zotua të vendosë raketa të reja në rajonin rus të Kaliningradit, në kufi me Poloninë dhe Lituaninë. Rusia e ka portretizuar planin amerikan për të vendosur raketa interceptore në Poloni dhe një radar që lidhet me sistemin e raketave në Republikën Çeke si një kërcënim ndaj sigurisë ruse, megjithëse administrata e Presidentit Bush nënvizon se sistemi ka si synim të vetëm të parandalojë rrezikun e sulmeve me raketa nga Irani apo vende të tjera “të papërgjegjshme.”

Në fjalimin e tij të parë mbi gjendjen e vendit zoti Medvedev tha dje se raketat ruse Iskander me një rreze veprimi prej afro 300 kilometrash, do të dislokoheshin në kundërpërgjigje të interceptorëve amerikanë dhe tha se Moska do të përpiqej ta bllokonte elektronikisht sistemin amerikan. Rusia kishte kërcënuar edhe më parë se do të kundërpërgjigjej, por komentet e Presidentit Medvedev ishin shenja e parë konkrete e një synimi të tillë. Në një konferencë për shtyp në Departamentin e Shtetit, zëdhënësi Shon Mekormek tha se ende shpreson se Moska do të bindet se sistemi nuk paraqet kërcënim për të:

"Pa diskutim, veprimet ruse na kanë zhgënjyer. Por dua ta përsëris se sistemi i mbrojtjes nga raketat në Republikën Çeke dhe Poloni nuk ka si objektiv Rusinë. Është e qartë se numri i vogël i interceptorëve që do të vendosen në Poloni është i papërfillshëm përballë forcës ruse. Ky sistem për mbrojtje nga raketat ka si objektiv të shërbejë si mbrojtje nga vende të papërgjegjshme, për shembull Irani, i cili po punon për teknologji të raketave me rreze të gjatë veprimi."

Komente të ngjashme bëri edhe Pentagoni, i cili theksoi se Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Moskës një numër marrëveshjes për transparencë dhe seanca informimi për të eliminuar shqetësimet ruse. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Mekormak tha se nuk kishte dieni për ndonjë kontakt direkt mes Shteteve të Bashkuara dhe Presidentit Medvedev lidhur me këtë çështje. Por ai tha se pritet që Sekretarja e Shtetit Kondoliza Rajs do ta diskutojë çështjen me Ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov të dielën, kur të dy ministrat do të marrin pjesë në një takim të Kuartetit të Lindjes së Mesme në Egjipt.

Fjalimi i zotit Medvedev të mërkurën përfshinte kritika të shumta dhe të ashpra ndaj Shteteve të Bashkuara, për politikë të jashtme egoiste dhe gabime ekonomike të cilat, sipas zotit Medvedev, shkaktuan krizën globale financiare. Komentet shtangën shumë analistë, të cilët kishin parashikuar një prirje drejt pajtimit një ditë pas zgjedhjes së Presidentit të ri amerikan. //ad//

XS
SM
MD
LG