Lidhje

Reagojnë afrikano-amerikanët pas zgjedhjes së Obamës President


Ngjitja e senatorit Barak Obama në postin më të lartë në Shtetet e Bashkuara shënon një moment historik për amerikanët. Por ky është një moment në histori që ka sidomos më shumë domethënie për afrikano-amerikanët, shumë nga të cilët e vinin në dyshim se ky moment do të vinte.

I rrethuar nga një det përkrahësish në Çikago, presidenti i zgjedhur Barak Obama mbylli udhëtimin e tij të pabesueshëm për në Shtëpinë e Bardhë me pesë fjalë të thjeshta.

"Ndryshimi ka ardhur në Amerikë".

Fjalët e tij oshëtinë në mbarë vendin dhe arritën në kangjellat e Shtëpisë së Bardhë. Nga kishat e afrikano-amerikanëve në zemër të Nju Jorkut.

Për shumë njerëz ky ishte shpërthimi i një emocioni të fshehur – krenari e përzierë me lotë gëzimi.

Një ditë pas zgjedhjeve historike, disa studentë në universitetin Howard pyesnin veten në se kjo ishte e vërtetë apo ëndërr.

Studente: Po ecja drejt universitetit sot dhe po mendoja, vërtet Obama është president? Nuk më besohet.

Studente: Afrikano-amerikanët nuk kanë arsye tani të ankohen e të thonë nuk na jepet mundësia.

Studente: Vërtetë nuk dija si të reagoja. Isha i gëzuar por në të njëjtën kohë më dukej sikur ishte një ëndër.

Studentja e gazetarisë Andrea Giscombe thotë se ka shumë shpresa për të ardhmen.

“Ndjehem më optimiste, sikur mund të bëj gjithçka. Të mos ngadalësoj hapat dhe të zvarritem por të shfrytëzoj situatën si ai. Obama kishte një ëndërr dhe e realizoi atë pa marrë parasysh se çmund të thoshin shumë të tjerë, ai fitoi”.

Për disa, presidenti i zgjedhur Obama është katalizator për ndryshime. Amal Bennett-Judge thotë se zgjedhjet e kanë frymëzuar atë të bëhet organizatore e komunitetit. Ajo thotë se shembull për të është zonja e parë e ardhshme, Michelle Obama.

“Njeriu që dua të takoj është Michelle –është një grua e rrallë”.

Për disa, rezultati i zgjedhjeve përfaqëson një ndryshim madhor në shoqërinë amerikane. Profesori në pension Raymond Williams kujton kohën kur njerëzit me ngjyrë nuk mund të votonin.

“Kjo do të ndryshojë mënyrën sesi mendonin njerëzit për aftësinë e afrikano-amerikanëve për të drejtuar. Tani jemi të barabartë dhe jam i gëzuar që ia arrita kësaj dite”.

Për shumë afrikano-amerikanë 4 nëntori ishte një ditë kur papritur çdo gjë u bë e mundur. //iç//

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG