Lidhje

Pentagoni në përgatitje për administratën e re amerikane


Tranzicioni aktual presidencial në Uashington realizohet gjatë një periudhe lufte për herë të parë që nga viti 1968, kur presidenti Lindon Xhonson i dorëzoi drejtimin e vendit presidentit Riçard Nikson gjatë Luftës së Vietnamit. Kjo ka një rëndësi të veçantë në Pentagon, selia e Departamentit amerikan të Mbrojtjes. Çfarë përgatitjesh po bëhen për të garantuar se zyrtarë të rëndësishëm të administratës do të jenë gati për të marrë nën kontroll ushtrinë më të fuqishme të botës në momentin kur Barak Obama të vijë në Shtëpinë e Bardhë:

Zëdhënësi i Pentagonit Brajan Uitman shoqëroi një grup gazetarësh që vizituan zyrat që janë përgatitur për ekipin e tranzicionit të zotit Obama. Ai shpjegon se janë krijuar 3 hapësira të mëdha zyrash të pajisura me telefona, kompiutera, pajisje kancelarie si dhe po hartohet një listë me disa nga çështjet kryesore me të cilat do të përballet që në fillim administrata e re.

"Vendi ka një histori të gjatë tranzicionesh pa probleme. Vëmendja është tek realizimi i këtij procesi në mënyrë sa më efikase pasi vendi është në luftë."

Zyrat e sapo-mobiluara mund të akomodojnë rreth 20 vetë dhe ndodhen pranë zyrës së Sekretarit të Mbrojtjes. Zëdhënësi parashikon se ekipi i tranzicionit i zotit Obama në Çikago do të japë së shpejti listën e emrave të grupit të parë të zyrtarëve që do të punojnë në këto zyra, të cilët do të fillojnë të asimilojnë informacionin e shumtë që nevojitet për të marrë përsipër programet e departamentit dhe për të kontrolluar forcat e armatosura.

Ekipit të zotit Obama do t’i duhet të mësojë shumë para se presidenti të dërgojë rreth 200 emërime politike në Pentagon, shumë prej të cilëve në poste të rëndësishme politike dhe menaxhimi. Zyrtarët e rinj do të duhet të mësojnë shumë hollësi mbi operimin e ushtrisë amerikan, por edhe një numër sekretesh për luftrat në Irak dhe Afganistan.

Ndër çështjet më delikate do të jetë kohëzgjatja e angazhimit amerikan në Irak: Zoti Obama ka bërë thirrje për tërheqjen e trupave luftarake amerikane nga Iraku brenda 16 muajsh nga dita që merr detyrën. Drejtuesit ushtarakë janë kundër vendosjes së afateve kohore dhe thonë se tërheqja duhet të bazohet në kushtet reale në terren.

Zyrtarët ushtarakë të emëruar nga Presidenti Bush do të qëndrojnë në post, të paktën për ca kohë. Ndër ta do të jetë edhe ushtaraku më i lartë me përgjegjësi direkte në Irak, dhe më pas në Afganistan, Gjenerali David Petreas, Shefi i sapoemëruar i Komandës Qendrore, të cilit i është njohur në masë të madhe merita për ndryshimin e gjendjes në Irak. Në një intervistë para zgjedhjeve, zoti Petreas nuk i kushtoi rëndësi mundësisë për tensione me presidentin e zgjedhur:

"Kurdo kur ka tranzicion administratash, pa dallim se kush vjen në pushtet, ka edhe dialog mbi rëndësinë relative të misioneve të ndryshme. Udhëheqësit ushtarakë dhe Pentagoni do të kenë mundësinë të japin opinionin e tyre lidhur me forcat që nevojiten për të kryer misione të ndryshme. Pra do të ketë dialog. Pikërisht këtë dialog mirëpret udhëheqja e lartë në Pentagon."

Disa ekspertë mendojnë se presidenti i ri nuk ka gjasa të bëjë ndonjë veprim që rrezikon përparimin e deritanishëm në Irak, edhe nëse një veprim i tillë nënkupton që Presidenti do të heqë dorë në një farë mase nga disa nga premtimet e tij.

Një çështje e rëndësishme është se kush do të jetë Sekretari i ardhshëm i Mbrojtjes. Një numër artikujsh në shtyp theksojnë nevojën që Sekretari aktual Gejts të qëndrojë në post, por në një konferencë për shtyp në prill ai la të kuptohej se nuk ishte i interesuar:

"As që mund t’i imagjinoj rrethanat që do më shtynin ta bëj një gjë të tillë."

Zoti Gejts thotë se ka në plan të dalë në pension dhe të vendoset me të shoqen në pjesën perëndimore të vendit. Ndërkohë ka spekulime të shumta për personin që mund të bëhet Sekretar i Mbrojtjes. Të gjitha spekulimet do të sqarohen së shpejti, pasi ekipi i tranzicionit i presidentit të ardhshëm t’i vihet punës për të piketuar personat që do të mbushin zyrat e sapo-mobiluara në Pentagon. //ad//

XS
SM
MD
LG