Lidhje

E ardhmja e marrëdhënieve Shtëpi e Bardhë-Kongres


Shumica demokrate në Senatin amerikan dhe në Dhomën e Përfaqësuesve mund të ndihmojë presidentin e ardhshëm Barak Obama të vërë në zbatim objektiva ambiciozë vitin e ardhshëm për arsye të shtimit të numrit të demokratëve të zgjedhur nga populli. Por analistët thonë se nuk mund të pritet që demokratët të bien plotësisht dakord me çdo gjë që do të kërkojë presidenti demokrat. I hedhim një vështrim të ardhmes së marrëdhënieve Shtëpi e Bardhë-Kongres në dy vitet e ardhshme.

Kryetarja e Dhomës së Përfaquesve Nensi Pelozi u zotua se demokratët do të bashkëpunojnë me presidentin e ardhshëm Barak Obama. Ajo tha se shtimi i anëtarëve demokratë në Kongresin amerikan do t’u lejojë atyre të punojnë bashkarisht me presidentin e ri amerikan për një vizion të ri për Amerikën.

Profesori i Universitetit Amerikan Alan Lihtmen thotë se faktet tregojnë që mund të realizohen shumë gjëra kur Kongresi dhe Shtëpia e Bardhë kontrollohet nga një parti e vetme.

"Historia tregon se nëse presidenti ka një program të gjerë me objektiva të mëdha mënyra më e mirë për t’i realizuar ato të kesh një kongres të partisë tënde. Franklin Roosevelt, i cili u zgjodh në vitin 1932 si kandidati demokrat po kështu e mori postin në mes të një krize të rëndë ekonomike dhe Kongresi, që në atë kohë drejtohej nga demokratët, mundi të kalonte 15 ligje me vlerë në 100 ditët e tij të para në punë."

Por, zoti Lihtman po kështu thotë se demokratët në Kongres nuk do të vulosin automatikisht çdo gjë që do të propozohet nga zoti Obama.

Analistë të tjerë bien dakord dhe vërejnë se demokratët mund të jenë liberalë, mund të kenë tendenca konservative, mund të jenë të moderuar si dhe mund të jenë të ndarë në baza kulturore apo rajonale.

Norman Ornstin nga Instituti Amerikan Enterprise thotë se udhëheqësit demokratë do ta kenë të vështirë të sigurojnë që demokratët do të miratojnë gjithnjë nismat e zotit Obama dhe ndonjëherë do t’u duhet edhe mbështetja e opozitës. Sipas tij kjo ka rëndësi veçanërisht për Dhomën e Përfaqësuesve ku demokratët do të kenë më shumë se 250 nga 435 deputetë.

"Që demokratët t’ia dalin të miratojnë çdo gjë pa ndihmën e republikanëve do të duhet që kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Pelozi të mbajë një pozitë jashtzakonisht të kujdesshme dhe të balancuar. Kjo do të jetë e vështirë dhe do të jetë e detyrueshme që demokratët të krijojnë aleanca me republikanët.”

Senatori demokrat nga shteti i Konektikatit, Kris Dod, thotë se situata mbetet e njëjtë megjithë shtimit e numrit të demokratëve në Kongres.

"Supozohet se nëse arrihet një numër i mjaftueshëm demokratësh atëherë ligjet mund të miratohen automatikisht. Kjo nuk është e vërtetë. Edhe pse e kemi shtuar numrin e demokratëve në Kongres, nëse bashkëpunimi me partinë tjetër lihet jashtë vëmendjes atëherë rezultatet do të jenë të pakta.”

Profesori Alan Lihtmen nga universiteti Amerikan thotë se do të jetë shumë me rëndësi që zoti Obama të veprojë menjëherë pasi në muajt e parë të administratës së tij ai do të ketë mundësi të shijojë frytet e të ashtuqaujtutirt muaji mjalti në politikë. Sipas profesorit Lihtman përvoja e zotit Obama si senator edhe pse vetëm për dy vjet i ka dhënë atij njohuri me vlerë të proçesit legjislativ.

Edhe senatori republikan nga shteti i Indianës Riçard Lugar i cili është republikani në postin më të lartë në Komisionin e Marëdhënieve të Jashtme të Senatit bie dakord me këtë vlerësim.

Senatori Lugar thotë se fakti që si presidenti edhe zvpresidenti i ardhshëm janë ish senatorë tregon se ata e kanë vlerësuar që në fillim rëndësinë legjislative.

Zoti Obama do të ketë objektiva ambicioze që përfshijnë përpjekje për të rimëkëmbur ekonominë, për të gjetur burime alternative të energjisë, reformën e taksave, sistemit shëndetësor si dhe tërheqjen e trupave luftarake amerikane nga Iraku.//ad//

XS
SM
MD
LG