Lidhje

Ambasadorët e BE-së saktësojnë vlerësimet e raportit të progresit


Në Shqipëri ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian, duke u mbështetur në raportin e progresit të publikuar të mërkurën nga komisioni, thanë sot se konfirmohen përparimet e bëra nga vendi duke saktësuar edhe fushat të cilat vazhdojnë të përbëjnë shqetësim, që nga administrata publike deri te sistemi gjyqësor, korrupsioni apo lufta kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve. Sfidë kyçe dhe një çështje e një rëndësie qendrore vlerësohet nga ambasadorët, zhvillimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme vitin e ardhshëm.

Dy ditë pas raportit mbi Shqipërinë, si për të vënë pikat mbi "I" në debatin e ndezur politik rreth vlerësimit të Brukselit mbi ecurinë e vendit, ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Europian në Tiranë dolën sot me një deklaratë të përbashkët. "Raporti i Progresit konfirmoi përparimet e Shqipërisë në rrugën e saj drejt BE", lexohet në deklaratën e cila më tej shton se raporti nënvizon se "Shqipëria po zbaton mirë marrëveshjen e ndërmjetme" dhe se “mbështetur në konsensusin ndërpartiak rreth BE, reformat politike kyçe po përparojnë, përfshirë reformën elektorale".

Deklarata vijon më pas me çështjet ende problematike. "Shqetësime dhe shpesh shqetësime serioze mbeten në disa fusha kyçe", theksojnë ambasadorët europianë duke rikujtuar vlerësimet e raportit për admnistratën publike e cila ende nuk i përgjigjet "një shërbimi civil të pavarur, efikas dhe të mbështetur në meritë. Lëvizjet e shpeshta nga postet të stafeve të trajnuar dhe kompetente kanë patur pasoja negative në polici por edhe në departamente të tjeratë administratës" nënvizon deklarata. Më tej vijohet me çështjet e tjera të ngritura në raport. Sistemi gjyqësor i dobët për shkak të mungesës së pavarësisë, përgjegjësisë dhe transparencës, shqetësimi për korrupsionin lufta ndaj të cilit vecanërisht në gjyqësor shihet si përparësi kyçe, shqetësimi gjithashtu serioz për luftën kundër krimit të organizuar ku edhe në deklaratë përsëritet se "përparimet kanë qenë të kufizuara", lufta kundër pastrimit të parave ku përgatitjet e Shqipërisë theksohet se "janë në fazën fillestare" apo dhe lufta ndaj trafikut të qënieve njerëzore.

Zgjedhjet e ardhshme ndërkaq sërish do të jenë testi kryesor për demokracinë shqiptare. Ato konsiderohen nga ambasadorët "një sfidë kyce përpara Shqipërisë dhe një çështje e një rëndësie qëndrore për zhvillimin e marrëdhënieve mes BE dhe Shqipërisë. Zgjedhjet - nënvizon deklarata - duhet të jenë të lira e të ndershme".

Tirana kërkon të ketë shumë shpejt një raport të ri me Brukselin për t’u konsideruar si një vend kandidat për anëtar. Në deklaratën e ambasadorëve shkruhet se vendet e Bashkimi europian vazhdojnë të jenë të gatshëm të ndihmojmë Shqipërinë dhe se besojnë se "hapa të tjerë në procesin e paranëtarësimit janë të mundur, nëse dhe atëherë, kur do të mund të konfirmohen tregues akoma më të kënaqshëm të rezultateve në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit dhe në marrëveshjen e ndërmjetme".//rd//

XS
SM
MD
LG