Lidhje

Familja presidenciale në fokusin e medias


Barak Obama, presidenti i ri SHBA, është në qendër të vëmendjes së shtypit. Jo vetëm për strategjitë që ai do të zbatojë në qeverisjen e vendit, jo vetëm për personelin që ai po përzgjedh, por edhe për stilin, modën dhe risinë që do të sjellë familja e re presidenciale në Shtëpinë e Bardhë. Ndërkaq, votën e tyre për presidentin e ri amerikan, e kanë dhënë edhe mjaft figura të njohur të ekranit dhe televizionit, ku spikat prezantuesja e njohur televizive, Oprah Winfrey

Një president afrikano-amerikan, nuk do të jetë më personazh i filmave hollivudianë. Barak Obama e ktheu këtë endër, në një realitet të kapshëm. Familja e Parë do të mbahet mend gjatë për shumë arsye, e njëra mes tyre do të jetë edhe moda, stili i veshjes, e cila ishte e ndryshme nga paraardhëset.

Familja Obama u ngjit në podiumin e Çikagos të martën në mbrëmje, me veshje të kombinuara ku mbizotëronte e kuqja dhe e zeza.

Për Mishel Obamën mbrëmja e parë si gruaja e presidentit të sapo zgjedhur, nuk ishte veshja tradicionale me kostume që e kërkon një rast i tillë. Ajo i besoi stilit dhe firmës së një stilisti të mirënjohur por jo shumë në modë, Narciso Rodriguez.

Stilistët që dinë të përkthejnë sinjalet e veshjes, thonë se kombinimi perfekti i veshjes së familjes Obama dëshmon për koordinim dhe besueshmëri.

Ndërkaq mes votuesve që hodhën votën e tyre për Barak Obamën, spikat mbështetja e një prej figurave më të njohura të televizionit amerikan, Oprah Winfrey. " Mendoj se tani nuk do të ketë më shtete blu, dhe shtete të kuqe. Sa herë që Barak Obama ka folur për këto shtete ne kemi kuptuar se ai ka folur për të bardhët, të zinjtë, lëkurkuqët, aziatikët, pra ka folur për Shtetet e Bashkuara të Amerikës" – tha ajo mbas shpalljes së fitores së zotit Obama në garën presidenciale.

Tani që festa ka mbaruar dhe zoti Obama, po punon për krijimin e adminsitratës së tij, duket se ka nisur puna dhe për gazetarët të cilët kanë përqëndruar vëmendjen e tyre, tek presidenti i ri dhe familja e tij. //mm//

XS
SM
MD
LG