Lidhje

55 vjet pas vdekjes së Stalinit, emri i tij ngjall reagime të forta


Edhe 55 vjet pas vdekjes së diktatorit sovjetik Stalin, përmendja e emrit të tij në Evropën Lindore ngjall reagime të forta. Për disa ai ishte personi që krijoi një perandori, por për shumicën e njerëzve ai ishte një diktator i egër dhe i pamëshirshëm. Në vendlindjen e tij, Gjeorgji, Stalini mbetet një figurë enigmantike për disa njerëz dhe që akoma ngjall një lloj të çuditshëm respekti. Në qytetin e lindjes së Stalinit, Gori, muzeu i Stalinit është një vend që të ngjall frikë, por për të cilin, megjithatë, tregohet një kujdes i veçantë.

Dikush mund të thotë se është sikur të përshëndetesh me djallin, por Xhamil Zijadaliev mendon ndryshe. Për 10 vjetët e fundit, ai ka imituar Stalinin dhe thotë se është krenar për një gjë të tillë.

“Më kishin thënë që i ngjaja aq shumë Stalinit, sa duhet të vishesha si ai. Një shok më bleu uniformën që njerëzit ta kujtonin atë”.

Dhe kështu, Ziadalievi një llogaritar në pension dhe shofer taksie vesh uniformën.

“Nuk e vesh uniformën kur i jap taksisë sepse Stalini nuk do ta pëlqente një gjë të tillë”.

Por Ziadalievi që preferon ta quajnë Stalin, shpesh del në publik, merr pjesë në ditëlindje, pagëzime dhe martesa.

“E vesh uniformën kudo dhe njerëzit më respektojnë sikur të isha Stalini”.

Dhe dy herë në vit, në përvjetorin e lindjes së Stalinit dhe vdekjes, ai i drejtohet Gorit.

Këtu ka lindur Stalini i vërtetë, si Josif Dzhugashvili. Ky qytet i vogël i mbuluar me pluhur i ka bërë shtëpinë ku jetonte familja e tij dhe vagonin me të cilin ai udhëtonte, si vende të shenjta.

Dhe në muzeun e Stalinit, ka kujtime të ndryshme, që nga koha kur Stalini i ri shkruante poezi, kur ai ishte revolucionar që komplotonte kundër carëve të Rusisë dhe me pas njeriu që u bë Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Komuniste dhe njeriu më i fuqishëm në Bashkimin Sovjetik. Kuratorja e muzeut Zeina Utashvili thotë se është e rëndësishme që publiku t’i shohë këto objekte.

“Të rinjtë nuk dinë asgjë për Stalinin. Kanë kaluar 55 vjet nga vdekja e tij, por njerëzit janë ende të interesuar për jetën e tij”.

Emri i Stalinit ende ngjall reagime të forta. Shumë vetë e shohin atë si njeriun që krijoi një perandori, njeriun që krijoi Bashkimin Sovjetik, mundi ushtritë naziste të Hitlerit në Luftën e Dytë Botërore dhe që sfidoi fuqinë e Shteteve të Bashkuara gjatë Luftës së Ftohtë.

“Në luftë ai la një përshtypje pozitive sepse luajti një rol të fuqishëm. Ai kishte një rol thelbësor në Luftën e Dytë Botërore, por ai la pas një trashëgimi negative pasi vrau shumë njerëz”.

Stalini konsiderohet një diktator i pamëshirshëm, që shkaktoi vdekjen e miliona vetëve, përmes torturës, ekzekutimeve, burgosjeve dhe varfërimit në masë.

Disa njerëz në Gori mendojnë se ai duhet kujtuar, pasi është pjesë e historisë, kulturës dhe traditave të tyre, ndërsa të tjerë mendojnë ndryshe.

“Disa njerëz janë krenarë për të, por shumica janë kundër tij. Ata thonë se nuk bëri asgjë të mirë për vendin e tij Gjeorgjinë”.

Në vendin e tij të lindjes, në Gjeorgji, për keq ose për mirë trashëgimia e Stalinit vazhdon të kujtohet.//kk//


XS
SM
MD
LG