Lidhje

Bush, Obama diskutojnë planet për tranzicionin


Presidenti Bush dhe presidenti i ardhshëm Obama po theksojnë rëndësinë e një tranzicioni pa probleme, në mënyrë që zoti Obama të merret sa më shpejt me krizën ekonomike në vend.

Presidenti i ardhshëm Obama thotë se administrata e tij do të fillojë punën për të nxjerrë nga kriza financat amerikane që në ditët e para. Në fjalimin e përjavshëm të Partisë Demokrate zoti Obama i bëri dje thirrje Kongresit të miratojë paketën ekonomike sa më shpejt që të jetë e mundur. Ai po kështu bëri publike prioritetet e tij në lidhje me përmirësimin e ekonomisë.

"Së pari do të na duhet një plan për të shpëtuar shtresën e mesme që do të merret me krijimin e vendeve të punës dhe që do të ndihmojë familjet në nevojë. Më pas do të merremi me ndikimin që ka përhapja e krizës financiare në sektorë të tjerë të ekonomisë sonë dhe do të sigurohemi që plani i shpëtimit i miratuar nga Kongresi po stabilizon tregjet financiare e në të njëjtën kohë po ndihmon taksapaguesit dhe pronarët e shtëpive.”

Zoti Obama tha se, sipas një raporti të fundit ekonomia amerikane ka humbur 1.2 milionë vende pune këtë vit dhe kjo vë në dukje sesa e rëndësishme është që të veprohet pa vonesë. Sipas zotit Obama, ekipi i tij i tranzicionit ekonomik do ta ndihmojë atë në këtë tranzicion për të hartuar politika të fuqishme në përgjigje të krizës. Ai i siguroi amerikanët se kishte ndërmend të vepronte me shpejtësi pas 20 janarit.

Presidenti Bush, gjatë fjalimit të tij të përjavshëm radiofonik tha se ai do të bënte çdo gjë që kishte në dorë për të ndihmuar zotin Obama.

"Kur i telefonova presidentit të ardhshëm Obama për ta uruar për fitoren historike, i premtova bashkëpunimin tim më të ngushtë gjatë periudhës së tranzicionit. Ky do të jetë prioriteti im deri më 20 janar."

Presidenti Bush tha se një tranzicion pa probleme është në të mirë të sigurisë kombëtare.

"Ky do të jetë tranzicioni i parë në kohë lufte që prej 4 dekadash. Ne po luftojmë kundër ekstremistëve të dhunshëm që janë të vendosur të na sulmojnë dhe ata duan të shfrytëzojnë këtë periudhë tranzicioni për t’u bërë keq amerikanëve. Prandaj, administrata ime do të punojë pa pushim për t’u siguruar që presidenti i ardhshëm dhe ekipi i tij do të fillojnë menjëherë punën.”

Zoti Bush tha se Shtëpia e Bardhë dhe agjencitë federale po punojnë prej më shumë se një viti në mënyrë që presidenti i ardhshëm të ketë mundësi të veprojë me shpejtësi pas inaugurimit. Deri më 20 janar presidenti thotë se do të vazhdojë të merret me problemet ekonomike në vend dhe i bëri thirrje Kongresit të miratojë marrëveshjet e tregtisë së lirë me Kolumbinë, Panamanë dhe Korenë e Jugut. Ai gjithashtu do të organizojë një takim të nivelit të lartë ekononik në Uashington më 15 nëntor. //ad//

XS
SM
MD
LG