Lidhje

Pasojat e rritjes së çmimeve të ushqimeve tek amerikanët



Me rritjen e çmimeve të artikujve ushqimorë në të gjithë botën, familjet e vendeve në zhvillim nuk janë të vetmet që po vuajnë pasojat.

Për shumë familje amerikane, sot është më e vështirë të shkojnë të blejnë në supermarket. Këta dy prindër me vajzën e tyre që kanë shkuar në supermarket pranë Uashingtonit e vënë re çdo ditë rritjen e çmimeve.

Për të kompensuar koston e lartë të ushqimeve, amerikanët kanë pakësuar përdorimin e makinës, nuk hanë aq shpesh në restorante dhe përpiqen të gjejnë mënyra për të shpenzuar më pak.

Çmimet e ushqimeve janë rritur kudo. Shifrat e nxjerra nga qeveria në korrik tregonin se vitin e kaluar çmimet e mallrave ushqimore ishin rritur 7 për qind. Drithërat u rritën 12 për qind. Produktet e bulmetit u rritën mbi 8 për qind, ndërsa frutat dhe perimet 10 për qind.

Analistët thonë se shumë nga ata që kërkojnë ndihmë me ushqimet, bëjnë pjesë tek punëtorët me rroga të ulëta.

Roksana Rajs është drejtore ekzekutive e organizatës “Ushqim për të tjerët” që u jep ushqime falas njerëzve në nevojë.

“Shumë nga klientët tanë ose kanë humbur punën kohët e fundit ose punojnë por nuk i plotësojnë dot nevojat bazë të familjes” - thotë ajo

Isak Kohen është ekonomist dhe president i një firme ndërkombëtare konsultash në Washington. Ai përmend kërkesën globale për ushqime si arsye për rritjen e çmimeve në Shtetet e Bashkuara.

“Kërkesa është rritur për disa arsye: në shkallë ndërkombëtare për shkak të rritjes së jashtëzakonshme në Kinë dhe Indi. Nga ana tjetër misri po përdoret për biokarbure në Shtetet e Bashkuara dhe ky është një faktor i rëndësishëm”. - thotë ai

Përsa kohë kërkesa për drithërat amerikane në Kinë dhe Indi mbetet e lartë, eskpertë si Kohen parashikojnë që rritja e çmimeve të vazhdojë. Kohen parashikon që çmimet të bien. Por tani për tani, njerëzit thonë se e vetmja shpresë për ta është që të rriten edhe të ardhurat.//mm//

XS
SM
MD
LG