Lidhje

Takim në Shtëpinë e Bardhë mes Presidentit Bush dhe Presidentit të zgjedhur Obama


Presidenti amerikan Xhorxh Bush dhe presidenti i zgjedhur i vendit Barak Obama u takuan të hënën pasdite në Shtëpinë e Bardhë. Ky është takimi i parë kokë më kokë mes dy udhëheqësve që pas zgjedhjeve të 4 nëntorit.

Siç e kërkon tradita, presidenti i zgjedhur dhe gruaja e tij vizitojnë Shtëpinë e Bardhë pas zgjedhjeve. Normalisht ata presin disa javë para se ta bëjnë këtë. Por kësaj herë takimi mes dy presidentëve zhvillohet pak ditë pas zgjedhjeve. Arsye për këtë është edhe fakti që tranzicioni politik ndodh në kohë lufte për Shtetet e Bashkuara, ç'ka nuk ka ndodhur prej katër dekadash.

Tranzicioni politik po ndodh edhe në një moment krize ekonomike në Shtetet e Bashkuara dhe kjo kërkon vëmendje të menjëhershme. Presidenti i ardhshëm Obama ka theksuar se ekonomia do të jetë prioriteti i tij kryesor.

"Unë nuk po i nënvlerësoj vështirësitë e jashtzakonshme që na presin. Kemi marrë disa veprime dhe duhet të bëjmë akoma më shumë gjatë periudhës së tranzicionit politik dhe muajve në vazhdim.”

Zoti Obama ka thënë se ai do të veprojë me siç e quajti ai shpejtësi të qëllimshme për të formuar kabinetin e tij. Këshilltarët e tij kanë theksuar se ai e kupton rëndësinë që emërimet të jenë të shpejta, por thonë gjithashtu se presidenti i ardhshëm do të sigurohet që do të ketë njerëzit më të mirë për postet në kabinetin e tij.

Xhon Podesta drejton ekipin e tranzicionit të presidentit të zgjedhur Obama. Gjatë një interviste me televizionin FOX News të dhënë të dielën, zoti Podesta tha se ekipi i zoti Obama po lëviz me shpejtësi për të krijuar ekipin ekonomik bazë, ekipin e sigurisë kombëtare dhe njoftimet për këto poste do të bëhen kur ato të jenë gati. Sipas zotit Podesta, administrata e ardhshme po kështu po sheh nga afër urdhërat ekzekutive të nënshkruara nga presidenti Bush të cilat bien ndesh me pikëpamjet e zotit Obama.

"Ata po japin urdhëra si përshembull për studimet me qeliza embrionale apo fusha të tjera. Siç e shihni edhe sot administrata e zotit Bush po lëviz me agresivitet për të bërë gjëra kundër interesit të vendit.”

Ai tha se këto urdhra ekzekutive mund të pësojnë ndryshime apo të anullohen lehtësisht nga administrata e re pasi për këto ndryshime nuk ka nevojë për miratimin e Kongresit. Por megjithë mospajtimet për sa u përket çështjeve politike, presidenti Bush dhe presidenti i zgjedhur Obama po bëjnë çmos për të theksuar vullnetin e tyre për bashkëpunim gjatë periudhës së tranzicionit.

Zoti Bush ka urdhëruar stafin e tij që tranzicioni politik të jetë sa më i qetë. Ndërsa zoti Obama ka theksuar disa herë se Xhorxh Bush do të jetë presidenti i Shteteve të Bashkuara deri më 20 janar. Mbase për këtë, presidenti i ardhshëm nuk do të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë ekonomik botëror që zoti Bush do të drejtojë më 15 nëntor. //ad//

XS
SM
MD
LG