Lidhje

SHBA: 11 nëntori, Dita e Veteranëve


Sot këtu në Shtetet e Bashkuara është Dita e Veteranëve dhe këtë vit ajo përkon me 90 vjetorin e Luftës së Parë Botërore, që zgjati nga viti 1914 deri më 1918. Ai është Frenk Bakëlls, 107 vjeç, mund të jetë ushtari i fundit amerikan që jeton që prej kohës së asaj që njihet si Lufta e Madhe.

Si pjesëtar i ushtrisë amerikane, Frenk ishte shofer ambulance në Francë dhe ndihmonte ushtarët e plagosur amerikanë dhe francezë. Gjatë asaj lufte Shtetet e Bashkuara dhe Franca ishin aleate.

Frenk Bakëlls u nderua kohët e fundit në ambasadën franceze në Uashington. Zhan Mëri Bëkoll, sekretari francez i çështjeve të veteranëve e falenderoi atë dhe amerianë të tjerë për shërbimin e tyre gjatë Luftës së Parë Botërore. Zotit Bakëlls iu dha çmimi më i lartë francez për shërbimin ushtarak apo civil.

Zoti Bakëlls ishte me fat që nuk u plagos gjatë luftës ashtu siç ndodhi për rreth 200 mijë ushtarë amerikanë. 50 mijë ushtarë amerikanë humbën jetën vetëm në tokën franceze.
Zoti Bakëlls ishte 16 vjeç, nën moshën e rekrutimit, kur hyri në ushtri në kërkim të aventurave. Ai donte të shkonte në vijat e para të frontit të luftës, po përfundoi së pari në Angli si shofer personalitetesh.

“Çdo ditë ndodhte diçka dhe unë isha i pranishëm” thotë ai.

Pas shpërbërjes së aleancave të vjetra mes fuqive evropiane dhe një gare armatimesh, e udhëhequr nga Gjermania, u krijuan kushtet për Luftën e Parë Botërore, e cila filloi pasi Gjermania pushtoi Belgjikën. Të shqetësuara nga ndërlikimet e huaja, Shtetet e Bashkuara nuk hynë në këtë luftë deri në vitin 1917.

Fuqitë aleate, të udhëhequra nga Britania, Franca, dhe Shtetet e Bashkuara, mundën fuqitë qendrore, të kryesuara nga Gjermania, Austro-Hungaria dhe Perandoria Otomane, e cila kontrollonte pjesën më të madhe të Evropës jug-lindore, Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore.

Gjatë luftës, mbi 9 milion ushtarakë u vranë dhe rreth 20 milion u plagosën. Llogaritet se rreth 5 milion civilë humbën jetën.

Mitç Yokelson ka shkruar një libër për luftën e parë botërore me titull, “Ushtarë të marrë borxh: Amerikanët nën komandën britanike”.

“Ishte një luftë shumë shkatërrimtare, gjatë së cilës u përdor gazi, armët automatike dhe llogoret, ndërkohë që shumë njerëz nuk flisnin rreth luftës. Dhe papritur ne u gjendëm në një luftë tjetër madhore, një luftë shumë më katastrofike. Njerëzit kanë tendencën ta harrojnë Luftën e Parë Botërore, sepse Lufta e Dytë Botërore kishte emër më të keq”, thotë autori.

Pas përfundimit të luftës së parë botërore më 1918, zoti Bakëlls qëndroi në Evropë për një farë kohe, ku shoqëronte rrobërit e luftës, që ktheheshin në Gjermani.

Për ironi, gjatë Luftës së Dytë Botërore ai u zu rob. Në vitin 1941, ai punonte si civil në një anije kur Japania pushtoi Filipinet. Zoti Bakëlls u kap dhe u mbajt rob lufte për 3 vjet para se të shpëtohej nga trupat amerikane.

Kryeqyteti amerikan Uashington ka një numër memorialesh, përshirë edhe një për të rënët e Luftës së Dytë Botërore. Por nuk ekziston një memorial kombëtar për Luftën e Parë Botërore dhe ajo që përkujton këtë luftë është një muzeum në Kansas City të shtetit Kansas.

Lufta e Parë Botërore mori fund me një marrëveshje paqeje, që u nënshkrua mes aleatëve dhe Gjermanisë më 11 nëntor 1918. Kjo ditë në Shtetet e Bashkuara njihet si Dita e Veteranëve dhe në vende aleate ajo njihet si dita e armëpushimit. Për Frenk Bakëlls ajo është një ditë që ai nuk do ta harrojë kurrë. (ze)

XS
SM
MD
LG