Lidhje

Lufta në Afganistan përparësi kryesore e presidentit të zgjedhur Obama


Lufta në Afganistan do të jetë një nga përparësitë kryesore të presidentit të zgjedhur Barak Obama kur ai të fillojë punën e tij në Shtëpinë e Bardhë në muajin janar dhe ekspertë të Azisë Jugore kanë bërë thirrje tashmë për një ndryshim dramatik në strategjinë e Shteteve të Bashkuara. Ata thonë se strategia e re duhet të përfshijë përpjekjet për fillimin e negociatave me talebanët, edhe në se fraksioni i militantëve të vijës së ashpër i refuzon bisedimet.

Forcat e NATO-s po i vazhdojnë sulmet ndaj forcave taleban në provincën Kunar të Afganistanit në përpjekje për t’i shtypur kryengritësit që janë rigjallëruar. Talebanët i kanë intensifikuar përpjekjet e tyre kundër NATO-s dhe forcave afgane. Ushtari amerikan Joshua Frank në njësinë e 16 të artilerisë, thotë se është koha për ndryshim.

"Patjetër që kemi nevojë për ndryshim. Pra, me një udhëheqës të ri, do të kemi edhe një fillim të ri, që është diçka e mirë".

Eksperti për Azinë Jugore, Steve Coll, në Fondacionin Amerika e Re, thekson nevojën e një strategjie të re amerikane në Afganistan.

"Duhet ritheksuar ndihma për zhvillimin politik dhe ekonomik, si dhe për negociata diplomatike rajonale".

Gjenerali David Petreas, i cili si shef i Komandës Qendore Amerikane mbikqyr operacionet në Afgansitan, ka lënë të kuptohet se ai mbështet strategjinë e një përpjekjeje ripajtimi me talebanët, të udhëhequr nga qeveria afgane. Ky veprim mund të përfshijë edhe pajtimin me kryengritësit talebanë, si në Afganistan edhe në Pakistan.

Gazeta Washington Post shkruante se zyrtarët ushtarakë amerikanë besojnë se komandanti kryengritës afgan, Gulbudin Hakmatjar dhe udhëheqës të tjerë të forcave rebele, mund të jenë të binden për t’i ndaluar luftimet, në shkëmbim të parave dhe një ndikimi më të madh në politikën e vendit. Taktika të tilla u përdorën me sukses në Irak dhe gazeta shkruan se ushtria amerikane po shqyrton mundësinë për të bërë të njëjtën gjë edhe në Afganistan.

Ky rivlerësim i strategjisë bëhet, ndërsa Afgansitani përgatitet për zgjedhje vitin e ardhshëm:

"Strategjia e re që kanë filluar të shqyrtojë Amerika, të cilën do ta trashëgojë presidenti i ri, do të bazohet tek dëshira për të patur zgjedhje të suksesshme dhe për zbatimin e një politike në Afganistan, e cila thekson nevojnë e zgjidhjes politike ndaj asaj ushtarake".

Por talebanët kanë thënë vazhdimisht se nuk do të bisedojnë me qeverinë afgane, deri sa trupat e huaja të largohen nga vendi.

Edhe gazetat pakistaneze, kohët e fundit kanë cituar udhëheqës talebanë të vijës së ashpër, që paralajmërojnë se Washingtoni po përpiqet t’i përçajë. Njoftohet se ata janë zotuar të mos e prishin kurrë aleancën e tyre me Al Kaidën.

Stefen Cohen, i Institutit Brookings, thotë se nuk duhet të ketë bisedime pajtimi, vetëm me kushtin që kjo aleancë prishet, megjithëse ai pranon se ky veprim ka pak gjasa të ndodhë.

"Mendoj, se në fakt, talebanët ende varen tek Al Kaida, se kanë një lidhje të ngushtë me të dhe me grupe që përbëjnë kërcënim të drejtpërdrejtë për Shtetet e Bashkuara".

Por të tjerë thonë se një ofertë amerikane për bisedime me talebanët, edhe në se militantët hezitojnë, është një strategji e mirë. Autorja dhe ekspertja nga Pakistani, Shuja Nawaz, thotë se është e rëndësishme që të izolohen individët e vijës së ashpër.

"Është i nevojshëm ndryshimi i natyrës së militantizmit dhe izolimi i atyre pak personave, që tani po thonë se nuk duan të bisedojnë".

Kjo mund të realizohet, për shembull përmes bisedimeve lidhur me zgjedhjet e ardhshme.

"Talebanët të ndahen lidhur e çështjen në se do të marrin pjesë, apo jo në politikat elektorale. Kjo do të ishte pjesë e një strategjie të suksesshme, që do të lidhet me zgjedhjet".

Ndërkohë, Gjenerali Petreas ishte këto ditë në Afganistan dhe në Pakistan, për vlerësimin e situatës atje. Washingtoni shpreson që shefi i komandës qendrore mund të bëjë për Afganistanin atë që bëri në Irak, ku ai njihet për kontributin në pakësimin e dhunës në mënyrë dramatike, kur ishte komandant i forcave amerikane atje. //iç//

XS
SM
MD
LG