Lidhje

Takimi i parë Bush-Obama në Shtëpinë e Bardhë


Presidenti amerikan Xhorxh Bush dhe Presidenti i zgjedhur Barak Obama patën dje takimin e tyre të parë në Shtëpinë e Bardhë. Korresponentja e Zërit të Amerikës njofton se takimi historik mes të dy burrave me pikëpamje tepër të ndryshme politike që pasoi një fushatë të ashpër elektorale mes të dy kandidatëve presidencialë, u krye me dyer të mbyllura.

Presidenti i 43-të i Shteteve të Bashkuara e priti me një shtrëngim duarsh personin që do të bëhet Presidenti i 44-t i Shteteve të Bashkuara. Ata hynë së bashku në vilën historike, të shoqëruar nga gratë e tyre dhe pastaj përshkruan së bashku rrugicën që të çon në Zyrën Ovale, ku patën një takim privat.

Ky është një rit zyrtar, i vjetër sa vetë Amerika, në kuadrin e kalimit paqësor të pushtetit.
Pas një fushate të ashpër të të dy kandidatëve, ashtu sikurse presidenti aktual republikan në Shtëpinë e Bardhë, edhe ai demokrat që do ta zëvendësojë atë, zotohen se do të bashkëpunojnë javët e ardhshme, për t’u siguruar që administrata e zotit Obama të jetë e gatshme për të drejtuar vendin, që ditën e parë kur të fillojë nga puna.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Dana Perino, tha se Presidenti Bush u shpreh se takimi i parë ishte “i mirë, konstrutiv, i çlirët dhe miqësor”, duke theksuar se biseda u përqëndrua në çështje të brendshme dhe ndërkombëtare.

Ajo nuk dha hollësi, por theksoi se është jashtëzakonisht e rëndësishme të ketë një tranzicion të sukesshëm, ngaqë këtë herë ai po ndodh në një periudhë krize ekonomike. Po ashtu, ky është transferimi i parë i pushtetit në 4 dekada, që ndodh në kushtet kur vendi është në luftë.

"Unë do të thoja se si Presidenti edhe Persidenti i Zgjedhur, kanë vendosur mes tyre një ton bashkëpunimi, një shpirt partneriteti, që do t’i ndihmojë në ditët e ardhshme. Natyrisht, që ata kanë mosmarrëveshje lidhur me politikat që duhen ndjekur. Por ata që të dy e duan vendin njëlloj. Dhe pikërisht dashurinë për vendin ata kanë për ta vënë në plan të parë dhe pastaj do të bashkëpunojnë, për t’u siguruar se kanë gjithshka që u duhet për të shkuar përpara."- tha zonja Perino.


Gjatë fushatës, senatori Obama shpesh kritikoi administratën e Presidentit Bush, po aq sa rivali i tij republikan, senatori Xhon Mekein, sulmoi me forcë pikëpamjet dhe eksperiencën e kandidatit demokrat.

Historiani për presidentët e Shteteve të Bashkuara, Douglas Brinkley, thotë se ndryshimi i tonit mund të jetë pasqyrë e rezultatit historik të zgjehdjeve, zgjedhja e një presidenti afrikano-amerikan me planin për ndryshim.

"Mendoj se ky do të njihet si një tranzicion i famshëm, për tonin e veçantë miqësor. E them këtë, bazuar mbi shenjat e para, që ata e shohin këtë si një moment historik",- tha ai.

Një zëdhënës i administratës së ardhshme thotë se kjo ishte hera e parë që zoti Obama shkelte në Zyrën Ovale.

Ndërkohë, gruaja e tij, Mishel, pati rastin të shohë ambjentet ku jeton presidenti, në katet e sipërme të Shtëpisë së Bardhë, mbi dhomat historike. Zonja e Parë, Laura Bush, e shoqëroi zonjënObama, duke i treguar dhomat e Shtëpisë së Bardhë.

Shefja e personelit e Zonjës së Parë, Anita McBride tha se zonja Bush e kupton se ky është gjithashtu një tranzicion i madh për familjen Obama, ndërsa hyn një nga shtëpitë më të famshme të botës.


"Pavarësisht se sa herë vjen këtu, e kupton se sa bukur është dhe kur ecën nëpër ambjentet e kësaj shtëpie ndjen menjëherë historinë brenda këtyre mureve dhe në mend të vijnë të gjithë ata që kanë jetuar këtu më parë."- tha ajo.


Familja Obama do të hyjë në Shtëpinë e Bardhë ditën e inaugurimit, më 20 janar.//lk


XS
SM
MD
LG