Lidhje

Tranzicioni në Shtëpinë e Bardhë në këndvështrimin e historianëve


Takimi i djeshëm në Shtëpinë e Bardhë mes presidentit Bush dhe presidentit të ardhshëm Obama simbolizon një tranzicion politik që duket të ketë nisur pa probleme.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara po përballen me një krizë të rëndë financiare dhe po luftojnë dy luftra jashtë Amerikës, ka shumë arsye përse tranzicioni politik për presidentin e ardhshëm amerikan duhet të jetë pa probleme.

Por dy presidentët e fundit demokratë kanë pasur probleme gjatë tranzicionit politik, edhe pse të dyja palët gëzonin shumicë demokrate në Kongres.

Ish presidenti Bill Klinton ishte i ngadaltë në emërimin e kabinetit të tij pas zgjedhjeve të vitit 1992 dhe u përball me probleme të menjëhershme gjatë debatit mbi futjen e homoseksualëve në ushtrinë amerikane.

Ekipi i tranzicionit i ish presidentit Xhimi Karter u organizua më së miri para zgjedhjeve të vitit 1976. Por edhe pas këtyre përgatitjeve, që në fillim të mandatit të tij, pati përplasje mes kështilltarëve të zotit Karter në Shtëpinë e Bardhë, apo konflikte mes demokratëve në Kongres në ditët e para të administratës së tij.

Por disa ekspertë kanë nisur ta shohin që tani ekipin Obama si më të përgatitur për t’u përballur me tranzicionin në ditët e para të qeverisjes.

Xhon Fortier, ekspert politik në institutin "American Enterprise" thotë se zoti Obama ka mundësinë të ketë më shumë rezultate krahasuar me dy presidentët e fundit demokratë.

Ish presidentët Klinton dhe Karter nuk e njihnin Uashingtonin dhe i vunë qëllim vetes tëreformonin qeverinë. Sipas zotit Fortier, presidenti i ardhshëm Obama mund të përfitojë nga përvoja si senator gjatë katër viteve të fundit.

"Po kështu, Barak Obama duket se po tregon se ai e kupton Uashingtonin, falë përvojës së tij si senator. Shumë nga ish presidentët tanë të kohëve të fundit nuk e kanë njohur Uashingtonin dhe kanë kundërshtuar stilin e punës në Uashington dhe sollën një mori njerëzish nga shtetet e veta”.

Ashtu si ish presidentët Klinton dhe Karter, zoti Obama do të gëzojë një shumicë demokrate si në Dhomën e Përfaqësuesve, edhe në Kongres. Demokratët presin shumë ndryshime në drejtimin e vendit.

Tom DeFrank shefi i zyrës së Uashingtonit të gazetës "New York Daily News" është ekspert i politikës presidenciale amerikane.

"Sipas informacioneve që kam, stafi i zotit Obama ka në plan të merret fillimisht me çështjet që do të miratohen lehtësisht nga Kongresi, çështje që bashkojnë partinë, që pëlqehen nga amerikanët dhe nuk kushtojnë shumë para”.

Zoti Obama fitoi zgjedhjet, kryesisht sepse amerikanët donin një qasje tjetër ndaj ekonomisë, që ishte tema kryesore gjatë këtyre zgjedhjeve.

Republikanët po kështu po i ofrojnë këshilla presidentit të ardhshëm. Ken Dubershtein, cili ka punuar për ish presidentin Regan thotë se, kur zoti Regan u zgjodh në vitin 1980, republikanët i bënë atij thirrje të përballej me një sërë çështjesh vendore në ditët e para të mandatit të tij.

"Ai nuk e pranoi këtë, duke e bërë të qartë që do të përqendrohej në një përparësi kryesore. Gjithçka që do bëjmë, do të lidhet me përmirësimin e ekonomisë,” kishte thënë Regan.

Një shenjë tjetër pozitive për suksesin e proçesit të tranzicionit politik, është bashkëpunimi që në ditët e para paszgjedhore mes ekipit të zotit Obama dhe Shtëpisë së Bardhë.

Eksperti politik Norman Ornstin foli për këtë gjatë një programi të Zërit të Amerikës.

"Ndryshimi i madh në këtë rast është që presidenti Bush po krijon një këshill tranzicioni dhe po ndihmon që ekipi i posazgjedhur i zotit Obama të jetë në gjendje të punojë që në ditët e para të presidencës së re. Kjo është për t’u lavdëruar”.

Zoti Barak Obama do të bëjë betimin si presidenti i 44 i Shteteve të Bashkuara 20 janarin e ardhshëm.//lk

XS
SM
MD
LG