Lidhje

Shqipëri: 11 deputetë të partive të vogla hyjnë në grevë urie


Në Shqipëri, 11 deputetë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, formacion i së majtës në opozitë, dhe Partisë Demokristiane deri pak muaj më parë pjesë e koalicionit qeverisës kanë nisur mbrëmë një grevë urie në sallën e seancave të parlamentit shqiptar. Masa ekstreme e protestës ka ardhur pas kundërshtimeve të forta të partive të vogla ndaj formulës së përbërjes së komisioneve zgjedhore, e cila i la jashtë tyre përfaqësuesit e këtyre dy partive. Kryetari i Lëvizjes socialiste për integrim Ilir Meta tha mbrëmë se dy forcat kryesore politike që po hartojnë kodin zgjedhor synojnë të eleminojnë alternativat e tjera politike.

“Me përgjegjësi politike e kombëtare, jemi të detyruar të shpallim që nga ky moment grevën e urisë, si e vetmja rrugë demokratike e civile që na ka mbetur për t’i thënë "ndal" revanshit të binomit Berisha-Rama dhe qëllimit të tyre antikombëtar e antidemokratik për shkatërrimin e zgjedhjeve të ardhshme, përmes frikësimit paraprak të votuesve shqiptarë dhe së fundmi përmes numërimit stalinist të votave”.

Njoftimi i bërë nga kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta nuk erdhi si ndonjë e papritur në sallën e kuvendit. Kjo lëvizje ishte paralajëmruar që javën e shkuar.

Bashkë me këtë formacion të opozitës u bashkua edhe Partia Demokristiane, e drejtuar nga Nard Ndoka, bashkëjetesa e të cilës në gjirin e së djathtës dhe në koalicionin qeveritar nuk zgjati më shumë se një vit.

“Unë u bëj thirrje deputetëve të nderuar dhe të përgjegjshëm të Kuvendit të bashkohën me ne që të ndalim këtë aventurë të rrezikshme që kanë ndërmarrë Berisha dhe Rama dhe t’i garantojmë vendit zgjedhje të lira dhe të ndershme, si një kusht vendimtar për zhvillimin e vendit dhe integrimin e tij në Bashkimin Europian. Sot në emër të Partisë Demokristiane dhe të deputetëve të saj, ne shpallim grevën e urisë në mbrojtje të votës së lirë dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë”.

Vendimi tyre nuk ngjalli ndonjë reagim në sallën e parlamentit, ku kolegët e tyre u larguan pas mbylljes së seancës, për t’i lënë të vetëm aty ku pritet të kalojnë ditët e ardhshme, në pritje të një reagimi nga dy forcat kryesore, që së bashku janë në përfundim të kodit zgjedhor.

Jashtë në dyert e parlamentit disa qindra mbështetës protestonin me thirrje të ndryshme.

Formula e fiksuar në projektin e kodit të ri zgjedhor parashikon që komisionet zgjedhore që nga komisioni qëndroir deri në ato të niveleve më të ulta të përbëhn nga 7 anëtarë ku partia demokratike dhe ajo socialiste kanë nga dy anëtarë. Ato kanë gjithashtu të zgjedhin edhe nga një anëtarë të tjetër prej partive të krahut të tyre politik. Ndërsa komisioneri i shtatë i përket partisë në pushtet.

Praktikisht, një formulë e tillë përjashton totalisht si Lëvizjen Socialiste për Integrim, ashtu dhe demokristinët nga përfaqësimi i tyre në këto komisione, duke qenë se të dyja janë në konflikt të hapur me partitë që kryesojnë secilin prej krahut politik, të cilit ato i përkasin.

Sipas zotit Ilir Meta drejtuesit e dy partive më të mëdha kanë arritur një marrëveshje të cilësuar prej tij si të paprinciptë, për të paracaktuar në tavolinë rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, nëpërmjet monopolizimit total të procesit të administrimit të zgjedhjeve. Ndërsa zoti Ndoka foli për një atentat ndaj demokracisë shqiptare.

Askush nuk e ka të qartë, se cila do të jetë tashmë zgjidhja dhe nëse kjo lëvizje ekstreme do të ndikojë për të rihapur një dialog, që të çojë në një zgjidhje të kënaqshme. Nga ana tjetër, greva rrezikon që praktikisht të bllokojë edhe punimet e Parlamentit, duke qenë se ajo mbahet në sallën ku zhvillohen seancat. //lk

XS
SM
MD
LG