Lidhje

Topi: Reforma në drejtësi duhet bërë me një strategji të qartë


Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi thotë se reforma në sistemin e drejtësisë duhet bërë në bazë të një strategjie të qartë. Duke folur për Zërin e Amerikës, presidenti Topi komenton raport-progresin e Komisionit Europian si dhe zhvillimet e fundit në Shqipëri, çështjen e pavarësisë së institucioneve, përplasjet e shumicës me Prokurorinë si dhe grevën e urisë të nisur dje nga një grup deputetësh.

Zëri i Amerikës: Zoti President, faleminderit për këtë intervistë. Do të doja ta nisnim me vlerësimin tuaj shkurtimisht mbi Raportin e Bashkimit Europian, raport-progesi i cili u publikua javën e shkuar dhe që krijoi debate dhe u vlerësua në mënyra të ndryshme nga aktorë të ndryshëm politikë këtu në Tiranë.

President Bamir Topi:“Natyrisht, nga aktorë të ndryshëm politikë, kryesisht ata partiakë, raporti vlerësohet bardh e zi, ndërsa unë e kam detyrim institucional ta vlerësoj raportin në një mënyrë realiste, me ngjyra, çka do të thotë që raporti shënon patjetër një arritje të re në marrëdhëniet midis Komisionit Europian dhe Institucioneve të Shqipërisë, dhe kam rastin këtu të falenderoj partnerët europianë, jo thjesht për monitorimin që i bëjnë situatës, demokracisë dhe institucioneve në Shqipëri, por edhe për ndihmën konkrete, për bashkëpunimin mjaft intensiv që ne kemi me Komisionin Europian, veçanërisht pas arritjes së Marrëveshjes së Asocim-Stabilizimit. Pra, jemi në fazën e marrëveshjes së ndërmjetme, me punën që duhet të bëjë Shqipëria, - shpresojmë brenda një periudhe të shkurtër - për të marrë dhe statusin e kandidatit. Nga ky këndvështrim, dhe duke e lexuar e vlerësuar në mënyrë objektive këtë raport-progres, unë them që Shqipëria ka bërë progress, çka është e vlerësueshme. Natyrisht, ka dhe probleme sepse po të mos kishte probleme, ne sot do të ishim me statusin e kandidatit. Pikërisht, kjo lloj marrëdhënie e monitorimit dhe e vlerësimit në nivel të demokracisë, të forcimit të shtetit ligjor, të marrëdhënieve ndërinstitucionale, të çështjeve që kanë të bëjnë me politikën, kanë të bëjnë me partitë, me reformën zgjedhore, kanë të bëjnë me drejtësinë, kanë të bëjnë me korrupsionin, kanë të bëjnë me krimin e organizuar, janë të gjithë elementë që vlerësohen në mënyrë shumë realiste, tepër objektive, në mënyrë shumë profesionale, dhe mbetet që Institucionet shqiptare, politika shqiptare, partitë, Institucionet e pavarura, të bëjnë një vlerësim shumë të vëmendshëm, jo vetëm specifik për linjat institucionale që ato mbulojnë, por është shumë e rëndësishme që të gjithë të gjejnë gjuhën e komunikimit të ndërsjelltë, që gjithçka të shkojë në mënyrë sa më të shpejtë drejt marrjes së statusit të kandidatit. Pra, duke e përkufizuar me pak fjalë, do të thoja që unë kam një vlerësim shumë pozitiv për raportin. Shqipëria bën progres, kjo është shumë e rëndësishme, dhe ajo që është më e rëndësishme, Shqipëria sot përfytyrohet si një faktor determinant në mbajtjen e një situate shumë të qetë në rajon. Ka një rol moderator, ka një rol të rëndësishëm, rol të cilin nuk e ka pasur vite përpara. Pra, Shqipëria po forcon demokracinë brenda, por nga ana tjetër po krijon terren shumë të përshtatshëm për marrëdhënie dhe në nivel rajonal, sepse raporti nuk vlerëson vetëm Shqipërinë, por vlerëson edhe një progres të dukshëm në vendet e Ballkanit Perëndimor”.

Zëri i Amerikës:Zoti President, duke mbetur sërisht tek raporti, sistemi i drejtësisë, kryesisht ai gjyqësor duket që ka më tepër kritika. Në raport janë ngritur shqetësime për ecurinë e këtij sistemi, për veprimtarinë e tij, kujtoj që raporti kërkon hartimin e një strategjie të qartë, reale për reformën në drejtësi. Ju në fillim të mandatit tuaj u përpoqët për ngritjen e një komisioni. Në fakt, partitë e mëdha duket se ranë në ujdi që ta bënin mes tyre reformën në drejtësi, por realisht pak gjëra, përveç ligjit “Për organizimin e sistemit gjyqësor”, nuk kemi asgjë tjetër konkrete. Ndërkohë, që një paketë ligjesh të hartuara nga qeveria janë kritikuar nga aktorë të interesit, por edhe nga faktori ndërkombëtar. Ju si e vlerësoni këtë situatë?

President Bamir Topi:“Unë ju falenderoj që sillni në vëmendje pikërisht vizionin tim në momentin e marrjes së detyrës si President. Kam patur pikërisht këtë vizion të cilin Komisioni Europian e shpreh në progress-raport. Pra, çështja e reformës në drejtësi është një çështje mjaft komplekse, pra, nuk ka të bëjë thjesht me Institucionet e drejtësisë, por ka të bëjë me një ndërvarje reciproke të të gjitha Institucioneve, që fillojnë me politikën, me parlamentin, me qeverinë, me Presidentin, me Institucionet e tjera që lidhen me administrimin e çështjeve gjyqësore, ka të bëjë me Prokurorinë, ka të bëjë me Avokatinë, ka të bëjë me Këshillin e Lartë të Drejtësisë, pra nuk mund të bëjmë një trajtim metafizik vetëm tek një pjesë, pa marrë në konsideratë një vizion kompleks, një vision nga i cili mund të dalë një strategji e saktë. Dhe unë mendoj që gjërat janë realizuar, patjetër që janë realizuar, janë bërë, por kanë nevojë për përmirësim. Pra, këtu është vlerësimi objektiv i një raporti ku të vlerësohen arritjet, por natyrisht të evidentohen edhe “handicap”-et, të cilat nuk mund të kryhen nga një institucion i vetëm, por duhet - ajo që e kam thënë vazhdimisht – një bashkëpunim shumë i frytshëm, ndërinstitucional, mbi bazën e vullnetit politik dhe administrativ”.

Zëri i Amerikës:Zoti President, në raport sistemi gjyqësor kritikohet për mungesa pavarësie, për mungesa transparence. Në të paktën tre raste ngrihet shqetësimi se ka patur një ndërhyrje në pavarësinë e institucioneve, rasti i rrëzimit nga Kuvendi të kandidatura tuaja për Gjykatën e Lartë, rasti i Ligjit “Për organizimin e sistemit gjyqësor”, që përsëri kritikohet për shkak të mosndarjes së qartë të kompetencave mes dy inspektoriateve, dhe po ashtu Ligji “Për Prokurorinë”. Ju besoni se ky është një shqetësim i ngritur nga raste sporadike apo mendoni se ka një përpjekje për të ushtruar trysni ndaj sistemit të drejtësisë?

President Bamir Topi:“Unë besoj që beteja për pavarësinë e institucioneve është një betejë afatgjatë. Pra, Shqipëria është në një moment shumë të rëndësishëm kur del në fokus nevoja për arritjen e pavarësisë së institucioneve të pavarura. Dhe besoj që është një çështje e kulturës së dialogut politik, e kulturës së nevojës për të komunikuar dhe për të vlerësuar që disa institucione detyrimisht të shkojnë në standartet që kanë edhe institucionet homologe në Perëndim. Por besoj që çështja nuk është shumë pesimiste në këtë drejtim, sepse procedura pavarësisht se ka patur debat, dhe debati është i natyrshëm, ky debat ndonjëherë ka qenë edhe i fortë. Sidoqoftë, mendoj se gjërat janë futur në një shtrat normal dhe kjo presupozon edhe një sens progresi, edhe në drejtim të vlerësimit të pavarësisë së një institucioni. Pra, gjërat nuk kanë mbetur statike, por njerëzit janë ndërgjegjësuar që këtu duhet të ketë patjetër raporte ndërinstitucionale, duke respektuar të drejtat dhe besoj në fizionominë që kanë institucionet e pavarura”.

Zëri i Amerikës:Megjithatë, ka patur një përplasje të fortë mes Prokurorisë dhe Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Brendshme, një përplasje e cila u duk se u zbut më tepër nga ndërhyrjet e faktorit ndërkombëtar, sepse ishte e qartë si përplasje, madje nuk mungoi nga ana e shumicës të etiketohet Prokuroria e Përgjithshme edhe si e ndikuar politikisht.

President Bamir Topi:“Unë besoj që ka të tilla në dialogun politik dhe besoj që ka dhe teprim. Ka teprime, ka tejkalime të sensit të masës, që shkojnë deri në akuza të pabazuara. Unë besoj që po krijojmë institucione vërtetë në standarte të pranueshme dhe mund t’ju them që në këtë debat janë përshirë shumë aktorë, natyrisht janë të përfshirë edhe partnerët tanë ndërkombëtarë, sepse sapo folëm për raport-progresin, por janë futur pikërisht ata që ne i konsiderojmë partnerë strategjikë, të cilët janë shumë të interesuar në stabilitetin e demokracisë dhe të institucioneve në Shqipëri.”

Zëri i Amerikës:Zoti President, a jeni i kënaqur nga veprimtaria e puna e Prokurorisë së Përgjithshme? Ka mjaft zëra se kjo Prokurori po tregohet e ngadaltë, duke patur parasysh këtu çështje të rëndësishme që ajo ka në dorë, si Rruga Durrës-Kukës apo çështja e Gërdecit dhe me afrimin e zgjedhjeve, këto hetime mund të kenë dhe një veshje politike më pas.

President Bamir Topi:“Unë dal plotësisht nga sfondi i këtyre pyetjeve dhe nga burimet nga të cilat dalin këto pyetje, sepse është në interesin e partive politike që ta realizojmë pyetjen në interes të tyre. Unë mendoj që pas kaq vitesh ne kemi një Prokurori jo politike. Nuk mund të futem në natyrën e punës së Prokurorisë, sepse po të futem në natyrën e punës së Prokurorisë, do të thoja që unë influencoj tek puna e Prokurorisë. Ky institucion ka patur një pavarësi absolute në raportin midis Presidentit dhe Prokurorisë. Ato janë rekomanduar që të jenë në standartet e shtetit ligjor. Gjithmonë, ju e keni parë që unë jam shprehur edhe publikisht, që të forcojmë pavarësinë e tyre dhe pavarësia e institucioneve fillon tek pavarësia individuale. Në rast se një njeri që mbulon një institucion, është në standartet e pavarësisë, atëherë ai mund të realizojë një institucion të pavarur.”

Zëri i Amerikës:Zoti President, duke iu rikthyer sërish raport-progresit, një nga çështjet kryesore atje është edhe reforma elektorale, por dje kemi një ngjarje jo të zakontë për jetën politike, 11 deputetë të cilët janë futur në grevë urie në sallën e Parlamentit. Ju si do ta vlerësonit këtë situatë të krijuar?

President Bamir Topi:
“Unë mendoj që çështja e zgjedhjeve në Shqipëri është një çështje dominante, është një çështje prioritare, që është përmendur me një vëmendje të veçantë në raport-progresin, sepse edhe jemi në prag të zgjedhjeve. Dhe jemi në prag të nevojës për të reformuar Kodin Zgjedhor por edhe infrastrukturën zgjedhore. Por, në progres-raport thuhet që mungon kultura e dialogut politik midis partive politike, gjë që po vërehet edhe në momentet e reformimit të Kodit Zgjedhor, që ka imponuar që edhe një pjesë e deputetëve t’i mbrojnë interesat e tyre në këtë formë të protestës, që po konsiderohet një protestë demokratike, por është në të drejtën, në vizionin, në perceptimin dhe në pozicionin e çdo partie politike dhe çdo deputeti që do të protestojë pikërisht për arritjen e standartit që ka të bëjë me marrjen në konsideratë edhe të interesave të tyre”.

Zëri i Amerikës:
Zoti President, dhe një pyetje të fundit. Erdhët në këtë post të lartë nga majat e Partisë Demokratike. 16 muaj pas fillimit të punës, si do t’i konsideronit marrëdhëniet me Kryeministrin Sali Berisha? Duket qartë se ato nuk janë dhe aq të mira. Madje, pak kohë më parë, zoti Berisha foli edhe për një përpjekje për të krijuar një pakicë brenda shumicës. Cilat janë shkaqet?

President Bamir Topi:“Brenda pyetjes suaj, ju evidentuat, e konfirmuat dhe dolët tek shkaqet, pa marrë përgjigje nga ana ime. Unë vlerësoj në çdo lloj rrethane detyrimet institucionale që ka ky pozicion të cilin unë mbuloj sot”. //ii

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG