Lidhje

Veton Surroi komenton për procesin e shtrirjes së EULEX-it


Zëri i Amerikës: Udhëheqësit e Prishtinës refuzuan marrëveshjen ndërmjet UNMIK-ut, BE-së dhe Beogradit për gjashtë pika të propozuar nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së. Si e vlerësoni këtë qëndrim të Prishtinës zyrtare?

Veton Surroi: Nuk është refuzuar në tërësi. Janë refuzuar disa elemente të këtyre pikave. Një qëndrim i tillë ka ardhur shumë i vonuar. Është dashur që të refuzohet baza e këtyre bisedimeve, dhe baza e këtyre bisedimeve ka qenë hedhja e këtyre gjashtë pikave nga sekretari i përgjithshëm i OKB në qershor të këtij viti.

Zëri i Amerikës: A mund ta bllokojë kjo situatë e re e krijuar shtrirjen e EULEX-it në tërë Kosovën, përkatësisht funksionalizimin e këtij misioni?

Veton Surroi: Mendoj se është me rëndësi të ceket jo vetëm faktori i shtrirjes fizike, por edhe i vlerës dhe i cilësisë së asaj shtrirjeje. Nëse EULEX-i do të shtrihej për të ndërtuar dy sisteme juridike në Kosovë, atëherë kjo nuk është shtrirje e duhur për Kosovën. Nëse EULEX-i do të shtrihej për të përmbushur njërën apo tjetrën kërkesë të dikujt që nuk janë kërkesa bazike të shtetit të Kosovës, as kjo po ashtu nuk është ndonjë shtrirje cilësore. Shtrirja e EULEX-it duhet të determinohet brenda Kushtetutës së Kosovës, dhe Kushtetuta e Kosovës këtë e ka saktësuar duke pranuar paketën e presidentit Ahtisari.

Zëri i Amerikës: Cila mund të jetë zgjidhja në këtë rast, meqë zyrtarët ndërkombëtarë kanë paralajmëruar vazhdimin e bisedimeve me Prishtinën për të gjetur një zgjidhje?

Veton Surroi: Unë nuk jam i informuar dhe as struktura e përgjithshme popullore në Kosovë, por as edhe Kuvendi i Kosovës dhe as shumica e pjesëmarrësve në jetën publike për hollësitë e bisedimeve që po zhvillohen këto ditë. Ajo cka unë mendoj se do të duhet të ceket është se këto bisedime në formën në të cilën kanë filluar nuk mund të prodhojnë ndonjë rezultat shumë të mirë, dhe forma, apo gjegjësisht mungesa e një transparence në tërë këtë proces gjatë 5 muajve të kaluar, ka shkaktuar me të drejtë një brengë tek popullata e përgjithshme në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Përvec kësaj mungese transparence, si mendoni ju se mund të gjendet zgjidhja dhe cila është zgjidhja më e mirë?

Veton Surroi: Zgjidhja më e mirë ne e dimë cfarë është: është shtrirja e EULEX-it sipas Kushtetutës së Kosovës. Cështja nuk qëndron nëse është kjo zgjidhja më e mirë apo më pak e mirë. Kjo është zgjidhja e cila është realizim i Kushtetutës së Kosovës. Zgjidhje të tjera nuk janë realizim i Kushtetutës së Kosovës, dhe zgjidhja të cilën kanë udhëheqësit, të cilët merren me këtë proces negociator është që të argumentojnë zbatimin e Kushtetutës së Kosovës, apo krijimin e hapësirës së kompromisit për zbatimin e kushtetutshmërisë. (ze)

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG