Lidhje

Ukraina kërkon pjesëmarrje në Planin e Aksionit për NATO-n


Parullat në Kiev dhe qytete të tjera të Ukrainës pasqyrojnë sondazhet që tregojnë se më shumë se gjysma e ukrainasve është kundër anëtarësimit.

Rezistenca është e fortë në rajonet lindore dhe jugore që flasin rusisht. Banorë të moshuar në Sevastopol, ku ndodhet Flota ruse e Detit të Zi, kanë dalë veçanërisht hapur. Albina Gontovaya, anëtare e një grupi pro-rus druhet se do të vijë një ditë që anijet e NATO-s mund të zëvendësojnë ato të Rusisë.

“Na ka ardhur në majë të hundës me Ukrainën. Nuk durojmë dot më. Na kanë trajtuar shumë keq. Le të fillojë lufta. Nuk presim asgjë të mirë këtu”.

Sevastopoli, një qytet me mbi 340 mijë banorë, u themelua në fund të shekullit të 18-të në kohën e perandorëshës ruse Katerina e Madhe, një heroinë për shumë nga rusët etnikë të qytetit që përbëjnë mbi 70 për qind të popullsisë. Ata janë kundër zgjerimin të NATO-s drejt lindjes dhe ndjejnë të njëjtën frikë si Rusia se një ditë do të jenë të rrethuar nga Aleanca.
Genadi Basov, anëtar i Këshillit të Qytetit Sevastopol dhe kreu i bllokut rus nuk është dakord me anëtarësimin në NATO.

“Nëse është një aleancë mbrojtëse, atëherë nga kush po mbrohemi? Nëse është një bllok agresiv që dërgon trupat për të luftuar në Irak, Afganistan apo Pakistan, atëherë është çështje tjetër. Dhe përsëri nuk ka kuptim që ukrainasit të futen në aleancë”.

Në prill, NATO-ja nuk e pranoi kërkesën e Ukrainës për të hyrë në Planin e Aksionit për Anëtarësim.

Belgu Michel Duray, përfaqësues i NATO-s në Ukrainë thotë se aleanca ka patur një zyrë në Kiev që prej 11 vjetësh për të shpjeguar standardet dhe avantazhet e anëtarësimit.

“Nuk bëhet fjalë thjesht për tanke kundër tankeve, por edhe për mjedisin, për përgjegjësinë shoqërore, për sigurinë virtuale. Shumë aspekte janë përfshirë në idenë e sigurisë”.

Moska është kundër zgjerimit të NATO-s drejt lindjes. Në shkurt, presidenti i atëhershëm rus Putin kërcënoi se të drejtonte raketat bërthamore ndaj Ukrainës nëse raketat e NATO-s vendoseshin atje.

Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur me forcë anëtarësimin e Ukrainës në NATO. Në shtator, nënpresidenti Cheney shkoi në Kiev për ta shprehur këtë mbështetje.

Në Parlamentin ukrainas, ka një rezistencë të fortë ndaj NATO-s. Deputeti Dmytro Tabachnyk që akuzohet shpesh si pro-rus është pro anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por jo në NATO.

“Ata thonë se NATO-ja është një klub i rritjes ekonomike. Por gjithkush e di se disa nga vendet më të zhvilluara, më të pasura dhe më të sigurta nga ana sociale, janë ato që nuk bëjnë pjesë në NATO, si Austria, Zvicra, Finlanda dhe Suedia. Përparimi ekonomik, vendosja e shtetit ligjor dhe shoqërisë civile nuk janë njëlloj si anëtarësimi në aleancën ushtarake”.

Në Sevastopol, Sergei Kulyk i institutit të pavarur kërkimor NOMOS thotë se madhësia, pozita gjeo-strategjike dhe potenciali ekonomik nuk do ta lejojnë vendin të jetë neutral.

“Për fat të keq, politikanët dhe udhëheqësit tanë kanë shpallur një politikë të shumanëshme, por është e vështirë të mbetesh mënjanë, kështuqë ose duhet të bashkohemi me Evropën, ose ta orientojmë veten drejt Rusisë”.

Analistët thonë se Rusia do t’i bëjë presion Ukrainës për NATO-n vetëm nëse ukrainasit ia lejojnë Moskës një gjë të tillë. (ze)

XS
SM
MD
LG