Lidhje

SHBA: Provat e Teheranit me raketa, dëshmi e kërcënimit iranian


Shtetet e Bashkuara thonë se njoftimet për provat me raketa balistike të Iranit vënë në dukje kërcenimet që ky vend paraqet për Lindjen e Mesme dhe Evropën, duke përfshirë edhe Rusinë e cila ka kundërshtuar sistemin e planifikuar amerikan për mbrojtje nga raketat. Diplomatë të vendeve të fuqishme priten të diskutojnë në Paris mbi programin bërthamor të Iranit dhe për provat e Teheranit me raketa.

Administrata e presidentit Bush thotë se provat iraniane me raketa shkelin rezolutat e OKB-së dhe marrëveshjet e tjera ndërkombëtare. Këto çështje mund t’i shtohen rendit të ditës së mbledhjes për Iranin të së enjtes, me pjesëmarrjen e pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Gjermanisë. Irani thotë se ka vënë me sukses në provë raketat e tij të reja me rreze veprimi prej 2 mijë kilometrash, gjë që, nëse rezulton e vërtetë, tregon se Irani ka shënuar përparim në teknologjinë e raketave, duke prodhuar raketa më superiore krahasuar ato që zotëronte në të kaluarën.

Provat u kryen në prag të mbledhjes së udhëheqësve politikë nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Gjermanisë, të cilët do të rishqyrtojnë përpjekjet e tyre për të bindur Iranin, nëpërmjet stimujve, që t’i japë fund programeve për pasurimin e uraniumit që Shtetet e Bashkuara besojnë se i shërben programit ushtarak.

I dërguari amerikan në mbledhjen e Parisit, Nënsekretari i Shtetit për Çështjet Politike, Uilliam Bërns, ishte në Moskë ku bisedoi për shumë çështje duke përfshirë edhe sistemin për mbrojtje nga raketat, të cilin Shtetet e Bashkuara planifikojnë ta vendosin në Evropën qëndrore për të parandaluar kërcenimet nga Irani.

Moska këtë javë kundërshtoi një sërë masash për ndërtimin e mirëbesimit të ndërsjelltë të propozuara nga Shtetet e Bashkuara duke përfshirë edhe propozimet për inspektimet e vendndodhjes së sistemit, veprime që synonin të ulin shqetësimet ruse se sistemi ka si objektiv sistemin strategjik rus të raketave, Zëvendës zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Robert Ud përsëriti se Moska nuk ka pse të ketë frikë nga sistemi i propozuar, dhe se provat iraniane janë një shembull i nevojës për një sistem të tillë: “Mendoj se është mjaft e qartë për bashkësinë ndërkombëtare, në të cilën unë përfshij edhe Rusinë, se sa shqetësues është hedhja nga Irani e një prej raketave të tij balistike. Ne theksojmë se mendojmë që sistemi i mbrojtjes nga raketat është në interest jo vetëm të Shteteve të Bashkuara por edhe aleatëve të saj evropianë duke përfshirë edhe Rusinë. Kështu që do të vazhdojmë t’i theksojmë Rusisë argumentet tona se kemi nevojë për një bashkëpunim të afërtë për sistemin e mbrojtjes nga raketat.”

Plani i Shteteve të Bashkuara parashikon vendosjen e 10 interceptorëve amerikanë të raketave në Poloni dhe një sistem radarësh në Republikën Çeke. Rusia ka kërcënuar se do të vendosë raketa me rreze të shkurtër veprimi dhe aparaturë bllokimi në qytetin Kaliningrad në rajonin baltik, në kufi me Poloninë, nëse programi i Shteteve të Bashkuara vihet në jetë.

Zyrtarët në Moskë janë cituar të kenë thënë se propozimet për mirëbesim të ndërsjellë të Shteteve të Bashkuara ishin të pamjaftueshme, ndërkohë që ngrenë idenë se administrata e Bushit po mundohet t’u presë rrugën vendimeve lidhur me sistemin e mbrojtes nga raketat të Presidentit të sapo zgjedhur Barak Obama. Një zëdhënës i zotit Obama tha këtë javë se presidenti i ardhshëm do të mbështesë sistemin e mbrojtes nga raketat, vetëm atëherë kur të provohet se teknologjia e këtij sistemi funksionon. //ad//

XS
SM
MD
LG