Lidhje

Formulari për të punuar në administratën Obama


Ata që duan poste në kabinet dhe detyra të tjera të larta në administratën e presidentit të zgjedhur Barak Obama përballen, siç thonë disa, me aplikimin më të hollësishëm ndonjëherë për një administratë.

Në një artikull në gazetën “The New York Times” sot thuhet se në aplikimin prej shtatë faqesh ka 63 kërkesa për informacion profesional dhe personal, përfshirë detaje për bashkëshortët dhe fëmijët e rritur të atyre që duan të marrin detyrën.

Shumë nga pyetjet tregojnë sesi teknologjia e re e ka shndërruar procesin e verifikimit nga ana e Shtëpisë së Bardhë.

Aplikimi i botuar nga New York Times-i kërkon që të tregohet për e-mail-e ose mesazhe këmbyer me telefon që do ta vinin presidentin e zgjedhur në pozitë të vështirë. Aplikantët duhet të njoftojnë edhe për emrat që kanë përdorur për adresa e-mail-i dhe të përfshijnë informacione që mund të kenë vendosur në bloge dhe faqet e tyre të internetit në rrjete si Facebook dhe MySpace.

Diçka tjetër që tregon se si kanë ndikuar ngjarjet e ndryshme në proces, është fakti që zoti Obama po u kërkon atyre që kërkojnë poste të japin informacion për çdo lidhje që mund të kenë pasur me gjigantët e kredive të shtëpive Fannie Mae dhe Freddie Mac, apo me çdo institucion tjetër që po merr ndihmë nga plani qeveritar prej 700 miliardë dollarësh.//iç//

XS
SM
MD
LG