Lidhje

Udhëheqësit botërorë përgatiten për takimin ekonomik të Uashingtonit


Udhëheqësit e Grupit të 20-shes, ku përfaqësohen fuqitë industriale të botës dhe vende të mëdha në zhvillim do të mblidhen në Uashington këtë fund-javë për të diskutuar masat për rikthimin e qëndrueshmërisë në tregjet globale financiare. Evropa ka marrë një rol udhëheqës në përpjekjet për t’i gjetur zgjidhje krizës financiare. Në veçanti dy udhëheqës kanë spikatur në përpjekjet për të shpëtuar ekonominë globale.

Kur kriza ekonomike goditi Evropën, dy figura politike spikatën si më aktivet në përpjekjet për ta zbutur ndikimin e krizës, kryeministri britanik Gordon Braun dhe Presidenti francez Nikola Sarkozi.

Franca ka aktualisht presidencën e radhës të Bashkimit Evropian dhe zoti Sarkozi pa vonesë bëri thirrje për një zgjidhje transatlantike ndaj krizës:

Zoti Sarkozi u shpreh se synonte të punonte nga afër me Shtetet e Bashkuara, si dy vende aleate, dy vende mike, dy partnerë, të cilët kanë të njëjtat bindje, vlera dhe duhet të përballen me të njëjtën sfidë.

Zoti Braun është një udhëheqës me eksperiencë në çështjet ekonomike. Ai ka shërbyer për 10 vjet si Ministri i Financave për Britaninë në qeverinë e kryeministrit Toni Bler dhe ka marrë emër si udhëheqës kompetent dhe i pjekur. Në tetor, masat e tij për një paketë prej afro 700 miliardë dollarësh në ndihmë të bankave britaniake, u pritën me lëvdata si brenda edhe jashtë Britanisë.

Miratimi i paketave të ndihmave u bë një metodë popullore në shkallë globale, në përgjigje të krizës financiare.

Dyshja Braun-Sarkozi ka shënuar disa arritje mbresëlënëse, thotë deputeti i Parlamentit britanik Denis MekShejn.

"Kur erdhi ora e provës dolën në skenë këta dy udhëheqës, Braun dhe Sarkozi, në dy skajet e spektrit politik. Por asnjëri prej tyre nuk do të triumfojë nëse, qoftë Britania, apo Franca, Evropa apo Amerika nuk bashkojnë forcat për të dalë nga kjo krizë sa më parë dhe me sa më sukses që të jetë e mundur."

Zoti Sarkozi ishte ai që këmbënguli për një takim të udhëheqësve të euro-zonës, ku morën pjesë të 15 krerët e vendeve që përdorin euron si monedhë dhe Britania. Në takim ata rrahën mendime mbi zgjidhjet për krizën dhe vendosën të ndjekin shmbullin e planit të ndihmave që vuri në zbatim zoti Braun në Britani.

Më pas, udhëheqësi francez i bëri thirrje Presidentit Bush për një takim të fuqive botërore që do të zhvillohet më 15 nëntor në Uashington.

Sfida tjetër përballë zotit Braun dhe zotit Sarkozi është të nxisin Shtetet e Bashkuara që të marrin rolin udhëheqës në përpjekjet për stabilizimin e ekonomisë botërore.

Ekonomisti Albret Riht në Universitetin Ekonomik i Londrës, London School of Economics, thotë se Uashingtoni duhet të bëjë shumë më tepër se sa thjesht t’i vari shpresat tek plani i Sekretarit të Thesarit Henri Polson për të shpëtuar sektorin financiar:

"Shtetet e Bashkuara deri tani, nuk mund të them se kanë treguar mungesë vullneti për një rol udhëheqës, por kanë dërguar sinjale çorientuese. Nuk është e qartë krejt se çfarë nënkupton në realitet plani i Sekretarit Polson dhe kam përshtypjen se të paktë janë ata në Uashington apo Nju Jork që kanë një ide të qartë për atë që pritet nga plani Polson. Prandaj nevojitet që këto plane të shoqërohen me më shumë përmbajtje. "

Takimi i Grupit të 20-shes do të përqendrohet në masat konkrete, si për shembull kontroll më të madh financiar, në mënyrë që tregjet globale të stabilizohen. Por analistët thonë se Evropa tashmë i ka sytë tek administrata e ardhshme amerikane. Ata shpresojnë se Presidenti i zgjedhur Barak Obama do të jetë në gjendje të rigjallërojë ekonominë amerikane, e cila më pas do të ndihmojë ekonominë evropiane të kthehet në ritme normale. //ad//

XS
SM
MD
LG