Lidhje

Presidenti Bush mbron tregjet e lira në prag të takimit ekonomik


Presidenti amerikan Bush vazhdon të theksojë rëndësinë e tregjeve të lira në përgatitje e sipër për takimin e nivelit të lartë që do të organizohet këtë fundjavë në Uashington. Presidenti foli gjatë një fjalimi në Nju Jork mbi parimet ekonomike që, sipas tij, duhet të jenë në krye të përpjekjeve për të dalë nga kriza ekonomike.

Fjalimi i presidentit solli pak propozime të reja, por qartësoi qasjen e zotit Bush ndaj takimit të nivelit të lartë që pritet të mbahet këtë fundjavë në Uashington. Zoti Bush theksoi rëndësinë e një forumi të përbashkët, ku udhëheqësit botërorë do të ulen në një tavolinë për të vlerësuar problemet ekonomike e për të gjetur zgjidhje. Por ai sqaroi se nuk dëshiron që gjatë takimit të merren vendime të nxituara. “Kriza”, tha zoti Bush, “nuk u krijua brenda një dite dhe nuk do të zgjidhet brenda ditës”. Presidenti tha se ka nevojë për reforma globale financiare. Por ai vuri në dukje se ato duhet të vihen në zbatim me kujdes në mënyrë që të mos cënohet sistemi i tregjeve të lira.

"Edhe pse sektori financiar duhet reformuar, zgjidhja afatgjatë për këtë problem mbetet rritja ekonomike e vazhdueshme në rang botëror. Dhe mënyra më e sigurt për të arritur këtë rritje ekonomike, janë tregjet e lira dhe njerëzit që jetojnë në liri.”

Zoti Bush vuri theksin mbi faktin se sistemi i tregjeve të lira nuk duhet fajësuar për krizën aktuale financiare. Ai pranoi se kishte pasur dështime nga ana e individëve, firmave dhe zyrtarëve qeveritarë, por tha se sistemi mbetet rruga më e mirë për rritje ekonomike.

"Përgjigja nuk qëndron tek shpikja e një sistemi të ri. Ne duhet të zgjidhim problemet që kemi tani, të realizojmë reformat e duhura dhe të ecim përpara me parimet e tregut të lirë, të cilat kanë sjellë prosperitet dhe shpresë në të gjithë botën.”

Takimi ekonomik i kësaj jave zhvillohet në muajt e fundit të mandatit presidencial të zotit Bush dhe më pak se dy javë pas zgjedhjes së Barak Obamës i pasardhësi i tij. Shtëpia e Bardhë ka thënë se ka rëndësi që ky takim i rëndësishëm të zhvillohet tani, pasi kështu mund të nisë një proçes pune dhe të identifikohen detyrat që e presin presidentin e ardhshëm.

Presidenti i zgjedhur Obama ka sinjalizuar mbështetjen e tij për këtë nismë, por ka bërë të qartë se ky është takimi i presidentit Bush. Siç ka thënë zoti Obama, Shtetet e Bashkuara kanë vetëm një president dhe deri më 20 janar drejtuesi i vendit do të jetë Xhorxh Bush. Takimi i kësaj jave shënon herën e parë kur G20-shja, grupi i 20 ekonomive më të zhvilluara dhe në rritje të botës, do të takohet në nivelin më të lartë. Pjesëmarrësit do të marrin pjesë në një darkë në Shtëpinë e Bardhë të premten dhe do të zhvillojnë takimet zyrtare ditën e shtunë. //ad//

XS
SM
MD
LG