Lidhje

Udhëheqësit botërorë në takimin e G-20s në Uashington

  • Mandi Klark

Grupi i 20 udhëheqësve që përfaqësojnë vendet më të industializuara të botës dhe vendet më të mëdha në zhvillim, është mbledhur në Uashington për të diskutuar masat që duhen marrë për të stabilizuar financat botërore. Udhëheqësit evropianë janë vënë në krye të përpjekjeve për organizimin e këtij takimi të nivelit të lartë dhe po propozojnë zgjidhje për krizën ekonomike që ka përfshirë tani gjithë botën. Ndërkohë që ata i janë përgjegjur kërkesës së Presidentit Bush, evropianët e kanë hedhur tashmë vështrimin tek administrata e Presidentit të zgjedhur Barak Obama që fillon punën në janar.

Kur kriza ekonomike goditi Evropën, dy personalitetet të fuqishme u shquan për përpjekjet e tyre për të zbutur pasojat, Presidenti i Francës, Nikola Sarkozi dhe Kryeministri britanik, Gordon Braun.

Zoti Sarkozi është aktualisht edhe President i Bashkimit Evropian. Ai ishte i pari që bëri thirrje për një zgjidhje tansatlantike të krizës.

“Ajo që do Evropa është të punojë bashkërisht me Shtetet e Bashkura si dy aleatë, dy miq, dy partnerë, që kanë të njejtat bindje, të njejtat vlera dhe që sëbashku të përballojnë sfidat”.

Nga ana e tij, zoti Braun ka përvojën e duhur kur është fjala për ekonominë. Ai ishte Ministër i Financave për 10 vjet në qeverinë e Kryeministrit Toni Bler, dhe njihej si njeri kompetent dhe i matur.

Në tetor, ai u vlerësua si në Britaninë e Madhe ashtu edhe nëpër botë për paketën e tij të shpëtimit prej rreth 700 miliardë dollarësh për hua dhe sigurime në ndihmë të bankave britanike. Ky shembull ndihme u ndoq edhe nëpër botë, madje edhe në Shtetet e Bashkuara për t’iu përgjegjur krizës së kredive.

Por ishte Presidenti Sarkozi që këmbënguli për një takim të zonës së Euros për të mbledhur sëbashku udhëheqësit e 15 vendeve që e përdorin atë si dhe të Britanisë së Madhe që të gjenin zgjidhje për krizën. Në përfundim ata ranë dakord me planin e shpëtimit të zotit Braun.

Kombinimi Broun-Sarkozi është një veprim i dyfishtë mjaft mbresëlënës, thotë ligjvënësi britanik, Denis Mekshein.

"Vjen momenti, dalin këta dy individë, Braun dhe Sarkozi, të cilët kanë bindje të ndryshme politike, por asnjeri nuk do të fitojë, nëse Franca, Britania e Madhe, Evropa dhe Amerika nuk dalin nga kriza financiare sa më parë dhe me një strategji sa më të zgjuar”.

Ishte Presidenti francez ai që i bëri thirrje Presidentit Xhorxh Bush për të organizuar takimin e nivelit të lartë të 15 nëntorit në Uashington. Sfida tjetër për Kryeministrin Braun dhe Presidentin Sarkozi do të jetë që t’i bëjnë Shtetet e Bashkuara të udhëheqin ekonominë botërore të dalë nga kriza.

Ekonomisti Ollbreht Ritçël i Shkollës Ekonomike të Londrës, thotë se Uashingtoni duhet të bëjë më tepër se sa të mbështetet vetëm tek plani i shpëtimit financiar të Sekretarit të Thesarit, Henri Polson.

“Nuk dua të them se Shtetet e Bashkuara nuk kanë ushtruar rol udhëheqës, por sinjalet që kanë ardhur nga Amerika kanë qënë disi të përzjera. Nuk ishte shumë e qartë përmbajtja e planit Polson dhe më është krijuar pështypja se pak njerëz në Uashington dhe në Nju Jork kanë një ide të qartë për këtë plan. Prandaj duhet patjetër që këto plane dhe ide të kenë përmbajtje”.

Takimi e udhëheqësve të 20 vendeve në Uashington do të përpendrohet në masat që duhen marrë në sektorin financiar për të stabilizuar ekonominë botërore. Por analistët thonë se Evropa është në pritje të ndryshimit të administratës amerikane.

Ata shpresojnë që presidenti i zgjedhur, Barak Obama, të forcojë ekonominë amerikane, që do të ndihmonte ekonominë evropiane të rimëkëmbej. //iç//

XS
SM
MD
LG