Lidhje

Prishtina përpiqet për shtrirjen e EULEX-it, pa dëmtuar kushtetutën

  • Edona Demaj
  • Prishtinë

Udhëheqësit politikë të Kosovës thanë sot se nuk janë nën trysninë e komunitetit ndërkombëtar për pranimin e dokumentit gjashtë pikësh të propozuar ndërmjet UNMIK-ut dhe Beogradit për shtrirjen e EULEX-it në tërë Kosovën.

Ata thanë se po vazhdojnë përpjekjet e përbashkëta me praninë ndërkombëtare në Kosovë për të gjetur një zgjidhje që do të siguronte shtrirjen e EULEX-it dhe nuk do të dëmtonte rendin kushtetues të vendit.

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi edhe sot përsëritën kundërshtimin e tyre dhe ishin kategorik, se nuk do të pranojnë disa nga elementet thelbësore të marrëveshjes që kanë të bëjnë me policinë, doganat dhe gjyqësinë në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Udhëheqësit e Kosovës tërhoqën vërejtjen se Prishtina nuk po e zvarrit procesin e vendosjes së EULEX-it në vend por po vazhdon komunikimet normale me komunitetin ndërkombëtar për zhvillimet në Kosovë. Bisedimet vazhdojnë edhe sot.//lk

XS
SM
MD
LG