Lidhje

Përpjekje Pakistan-Afganistan për të kontrolluar kufirin


Mosbesimi i ndërsjellë mes Afganistanit dhe Pakistanit ka penguar përpjekjet për të luftuar terrorizmin në zonat e përbashkëta kufitare mes këtyre dy vendeve. Një gjë e tillë ka sjellë nevojën për të zhvilluar patrullime të përbashkëta mes tyre dhe me trupat ndërkombëtare. Ndonëse kjo ende nuk është realizuar, ushtarë afganë dhe pakistanezë së bashku me trupat e Shteteve të Bashkuara po punojnë dhe jetojnë krahas njëri tjetrit në një objekt ushtarak në vendkalimin Khyber që ndodhet në pjesën kufitare të Afganistanit.

Kufiri mes Afganistanit dhe Pakistanit është ndër kufijtë më strategjikë të botës dhe shumë i vështirë për t’u kontrolluar. Kontrabandistë edhe terroristë mund ta kalojnë këtë kufi në më shumë se 250 pika—disa nga këto pika janë terrene të thella malore ku trupat kufitare afgane dhe pakistaneze e kanë pothuaj të pamundur të patrullojnë. Këto pika të pakontrolluara prej vitesh kanë shërbyer si vend strehime për Al-Kaidën, Talebanin, dhe rebelë të tjerë që synojnë të minojnë qeveritë në të dy anët e kufirit dhe të ndërmarrin sulme kundër 70 mijë trupave ndërkombëtare në Afganistan.

Për të koordinuar patrullimet dhe luftën kundër terrorizmit, Afganistani, Pakistani dhe Shtetet e Bashkuara kanë ngritur të parën nga gjashtë qendrat e planifikuara kufitare për këtë qëllim. Qendra e parë që gjendet në afërsi të vendkalimit Khyber në pjesën kufitare të Afganistanit, u hap në fund të marsit. Këtu, afganët, pakistanezët dhe trupat amerikane punojnë, hanë dhe jetojnë së bashku. Ata komunikojnë në gjuhët anglisht, dari dhe pashtu me ndihmën e përkthyesve.

Gjenerali i ushtrisë afgane, Abdul Rahim Faizi thotë se kjo bën që ushtarët nga të tre vendet të punojnë pranë njëri-tjetrit dhe të mësojnë më shumë për punën e tyre. Ai thotë se në këtë qendër ata mund të arrijnë rezultate më të mira në operacionet kundër armiqve të përbashkët. Gjenerali i ushtrisë amerikane, Mark Milley shpjegon se si qendra e parë kordinuese po ndihmon për të shmangur incidentet ndërkufitare dhe problemet e tjera të ngjashme që dilnin nga mungesa e bashkëpunimit.

“Kjo qendër mundëson një koordinimin të veprimeve mes forcave pakistaneze dhe afgane të sigurimit, dhe trupave ndërkombëtare të ISAF-it, përgjatë kufirit, në mënyrë që të mënjanohen incidentet ndërkufitare dhe t’ju lejohet ushtarëve të përqendrohen në përpjekjet e përbashkëta për të luftuar armiqtë.”

Për shumë kohë këto zona kufitare kanë qenë pothuajse të shkreta dhe ende ka mosmarrëveshje rreth ndarjës së saktë të kufijve shtetërorë. Gjenerali i ushtrisë afgane, Abdul Rahim Faizi thotë se me qendrën e parë koordinuese në vendkalimin Khyber ata synojnë të mposhtin epërsinë që armiku ka patur falë ndihmës së natyrës.

Gjenerali Faizi thotë se terreni i vështirë lejon terroristët të kalojnë kufirin pa u zbuluar. Por kjo qendër tripalëshe ndihmon koordinimin e burimeve nga komuniteti vendas dhe bën të mundur që ushtarët të veprojnë me shpejtësi kundër atyre që kanë qëllime të mbrapshta.

Çdo muaj, gjeneralët e tre vendeve takohen ne vendkalimin Khyber për të diskutuar për ecurinë e punëve dhe për të shkëmbyer ide mbi përmirësimin e këtij procesi. Afganëve dhe pakistanezëve u janë bërë thirrje që të punojnë me forcat e koalicionit ndërkombëtar për patrullimin e përbashkët përgjatë kufirit.

Gjenerali i ushtrisë amerikane, Mark Milley thotë se qendrat koordinuese kufitare mund të jenë hapi i parë drejt kësaj. Ai po ashtu thotë se kjo mund të çojë në operacione të përbashkëta ushtarake. Ai shton se është e vështirë të thuhet në se kjo do të ndodhë por kjo iniciativë tregon qartë se themelet e bashkëpunimit janë në ndërtim e sipër.

Ekspertët thonë se nëse veprojnë të vetme, asnjëra nga ushtritë nuk do të mund ta patrullojë kufirin e gjatë prej 2500 kilometrash. Gjenerali Milley thotë se për të arritur suksesë në luftën kundër terroristeve përgjatë kufirit, trupat ndërkombëtare të ISAF-it duhet të luftojnë së bashku me ushtritë afgane dhe pakistaneze pasi në fund të fundit ky është një problem rajonal që preokupon të tre palët. Analistët thonë se duke neutralizuar rebelët përgjatë kufirit ata mund të parandalojnë sulmet e al-Kaidës në pjesët tjera të botës pasi këto terrene të thella malore vazhdojnë të jenë qendra për stërvitje dhe planifikim të misioneve globale të terroristëve. //ad//

XS
SM
MD
LG