Lidhje

Rusi-BE, dakord për bisedimet mbi partneritetin strategjik


Bashkimi Evropian dhe Rusia kanë rënë dakord të rifillojnë bisedimet mbi partneritetin strategjik muajin e ardhshëm. Bisedimet ishin ndërprerë pas konfliktit në Gjeorgji. Presidenti francez Sarkozi po kështu ka siguruar mbështetje për bisedimet me Moskën mbi sigurinë evropiane.

Presidenti Nikolas Sarkozi i bëri thirrje Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të ndalojnë përkohësisht vendosjen e raketave në Evropë derisa të zhvillohen bisedimet mbi sigurinë evropiane. Koha ideale për zhvillimin e bisedimeve do të ishte mesi i vitit 2009 nën organizimin e OSBE-së.

Duke folur me gazetarët pas bisedimeve me homologun e tij rus, Dmitri Medvedev, zoti Sarkozi tha se ishte në interesin e të gjithëve që të fillonin bisedimet për të ardhmen e sigurisë evropiane. Ai tha se bisedimet duhet të përfshijnë Shtetet e Bashkuara, Rusinë dhe Bashkimin Evropian. Zoti Sarkozi foli në rolin e tij si kryesues aktual i Bashkimit Evropian.

Zoti Sarkozi ka dënuar planet amerikane për të vendosur sistem të mbrojtjes nga raketat në Poloni dhe Republikën Çeke duke thënë se ky sistem nuk do ta përmirësonte sigurinë. Ai po kështu paralajmëroi homologun e tij rus Medvedev të mos vinte në zbatim kërcënimet e tij mbi raketat taktike në enklavën ruse to Kaliningradit.

Por zv/kryeministri çek, Aleksandër Vondra vuri menjëherë në pyetje komentet e zotit Sarkozi duke thënë se presidenti francez nuk ka asnjë mandat për të diskutuar sistemin mbrojtës gjatë takimit. Shtetet e Bashkuara planifikojnë të ndërtojnë një sistem mbrojtjesh nga raketat në Poloni dhe Republikën Çeke çka ka sjellë reagim negativ nga pala ruse.

Zoti Medvedev ka bërë thirrje për vendosjen e raketave ruse me rreze të shkurtër pranë kufijve të BE-së. Presidenti rus tha dje që këto raketa do të vendoseshin në kufi me BE-në si kundërpërgjigje ndaj planeve amerikane për mbrojtje nga raketat. Ai tha se Moska asnjëherë nuk kishte vepruar në mënyrë të njëanshme. Rusia dhe Bashkimi Evropian po kështu ranë dakord që të rinisin bisedimet speciale dypalëshe në 2 dhjetor. Evropa i kishte ndërprerë këto bisedime pas konfliktit në Gjeorgji gushtin e kaluar. //ad//

XS
SM
MD
LG