Lidhje

Bush: Takimi i G-20 në Uashington ishte "shumë i suksesshëm"


Presidenti Bush tha se takimi i G-20s që u mbyll të shtunën në Uashington ishte "shumë i suksesshëm". Ai dhe pjesmarrësit e tjerë bënë një deklaratë të përbashkët të parimeve që ata synojnë të venë në zbatim gjatë muajve të ardhshëm.

Deklarata kërkon që çdo qeveri të zbatojë paketa të stimulimit ekonomik për rritjen e shpenzimeve të konsumatorëve.

Presidenti Bush tha se udhëheqësit botërorë ranë dakord në takim për nevojën e përmirësimit të rregullave në sistemin financiar global.

Por ai theksoi se kjo duhet bërë pa dëmtuar sistemin e tregut të lirë. Presidenti Bush tha se administrata e tij ka ndërmarrë masa të rëndësishme për të përballuar krizën e kreditit.

Në takimin e Uashingtonit morën pjesë udhëheqës nga vendet më të industrializuara të botës dhe të ekonomive të vendeve të mëdha që po zhvillohen dhe fuqizohen.

Presidenti Bush tha se udhëheqësit diskutuan mbi masat që duhen marrë për të mos lejuar që kriza të përsëritet.

Takimi synonte gjetjen e një zgjidhjeje globale për krizën financiare.

Mes udhëheqësve botërorë ekzistojnë mosmarrëveshje lidhur me mënyrat për stabilizimin sa më mirë të sistemit financiar global. Udhëheqësit debatuan lidhur me çështje të tilla si, a kanë institucionet financiare nevojë për një mbikqyrje më të madhe dhe për më tepër rregulla.

NJË TAKIM I NJË LLOJI TË RI

Ky takim emergjent i nivelit të lartë shënon një ndryshim nga disa dekada të kaluara kur vendimet në ekonominë globale merreshin kryesisht mes Amerikës Veriore, Europës dhe Japonisë. Samiti i Uashingtonit përfshin ekonomitë me rritjen më të shpejtë në botë – Kinën dhe Indinë si dhe Afrikën e Jugut, Arabinë Saudite, tre vende amerikano-latine, Indonezinë, Korenë e Jugut dhe Turqinë. I ashtuquajturi Grup i të Njëzetëve ekziston prej një dekade në nivelin e ministrave të financave dhe të tregtisë.

Eswar Prasad, Profesor i Ekonomisë në Universitetin Cornell, thotë se ky takim rrit më tej imazhin e vendeve në zhvillim.

"Mendoj se duke i vënë këta udhëheqës përkrah njëri-tjetrit, kjo përcjell një simbol shumë të fuqishëm, pra se këta udhëheqës janë të gatshëm për të bërë diçka dhe për t’u përpjekur me sa munden për zgjidhjen e problemit."

Ky takim emergjence u mbajt me nismën e udhëheqësve të Francës dhe Britanisë. Disa analistë thonë se rëndësia e tij është minimizuar nga mungesa e Presidentit të zgjedhur Barak Obama, i cili vjen në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar. Udhëheqësit e 20-shes thonë se gjatë 5 muajve të ardhshëm pritet të mbahet një takim tjetër për të parë rezultatet.

Qëllimi kryesor i samitit të Uashingtonit ishte të shmangej thellimi i ngadalësimit ekonomik global përmes shkurtimit të taksave dhe shtimit të buxheteve qeveritare për nxitjen e shpenzimeve nga ana e konsumatorëve.//mm//

XS
SM
MD
LG