Lidhje

Udhëheqësit e G 20-shes, të angazhuar për parandalimin e problemeve ekonomike dhe ruajtjen e tregjeve të lira


Udhëheqës të vendeve në zhvillim dhe vendeve të industrializuara u takuan në Uashington për një takim të jashtëzakonshëm të nivelit të lartë. Takimi 5 orësh përfundoi me angazhimin për të punuar bashkarisht për të mbajtur tregjet të hapura si dhe për të parandaluar dobësim të mëtejshëm të ekonomisë botërore.

Presidenti amerikan Bush e quajti takimin të suksesshëm dhe tha se udhëheqësit ishin zotuar për politika pro rritjes ekonomike. Në takim u ra dakord për një planveprim mbi një funksionim më të mirë të tregjeve financiare dhe u tha se vendet në zhvillim duhet të kenë më shumë zë në strukturën votuese të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Zoti Bush vlerësoi arritjet e takimit të tij të parë me udhëheqësit e 20 vendeve që bashkarisht japin 80% të prodhimit botëror.

"Vendet tona ranë dakord që t’i bëjmë tregjet më transparente dhe më të përgjegjshme. Transparenca është shumë e rëndësishme në mënyrë që investitorët dhe autoritetet rregullatore të jenë në gjendje të thonë të vërtetën."

Sipas deklaratës përmbyllëse nëntë faqëshe të takimit, kriza aktuale u shkaktua pjesërisht pasi institucionet morën më shumë kredi seç duhej dhe morën përsipër rreziqe të tepërta. Udhëheqësit ranë dakord që bankat duhet t’i nënshtrohen rregulloreve më të forta. Ata thanë se ata ishin të kënaqur me rezultatet.

Presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva tha se grupi i G20-shes ka gjasa të zëvëndësojë G8-shen. Sipas tij ekonomitë në zhvillim duhet të konsultohen para se të merren vendime globale ekonomike.

Kryeministri britanik Gordon Braun tha se udhëheqësit botërore janë të vendosur për të shmangur proteksionizmit tregtar. "Nuk do të ngremë pengesa të tjera ndaj investimeve dhe tregtisë për vitin e ardhshëm dhe të gjithë udhëheqësit kanë rënë dakord për këtë. Çfarë është më e rëndësishme ne u kemi kërkuar ministrave të tregtisë të vendeve tona të bien dakord për modalitetet e një marrëveshjeje të re në fushën e tregtisë deri në fund të vitit tjetër.”

Kryeministri australian Kevin Rud tha se dokumenti 9 faqësh i lëshuar pas takimit thotë qartë se praktikat financiare të pakujdesshme janë shkaku i kësaj krize. Gjatë një konference për shtyp në Uashington, zoti Rud dënoi pagat tepër të larta që u jepen kryebankierëve.

"Njerëzit në të gjithë botën janë të lodhur, të shqetësuar dhe të revoltuar nga pagesat dhe shpërblimet e jashtëzakonshme që marrin drejtorët e bankave të cilët kanë kaq shumë faj për gjendjen e ekonomisë botërore. Dhe do të jenë njerëzit e thjeshtë që do të paguajnë për të gjitha këto."

Udhëheqës nga Kina, India, Rusia, Korea e Jugut, Brazili, Meksika, Turqia, Afrika e Jugut dhe Indonezia janë mes pjesëmarrësve që iu bashkuan homologëve amerikanë, evropianë dhe japonezë në këtë takim. Pjesëmarrësit ranë dakord t’i japin një shtysë të re përfundimit të bisedimeve të Dohas për liberalizimin e tregtisë deri në fund të këtij viti.

Grupi i 20 vendeve ra dakord për një takim të dytë në fund të prillit. Udhëheqësit e takimit duan që deri në prill të përgatitet një plan për t’u dhënë më shumë zë vendeve në zhvillim në vendimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Drejtori i Fondit Dominik Shtraus Kahn, i cili mori pjesë në takim tha se shpreson që deri atëherë do të ketë ndryshime në qeverisjen botërore të papara 60 vjetët e fundit.

Ndonëse takimi u zhvillua pas vetëm pak kohe përgatitjesh, udhëheqësit duket se u larguan nga Shtetet e Bashkuara të kënaqur me rezultatet e arritura. //ad//

XS
SM
MD
LG