Lidhje

Qyteti i Galvstonit po i rikthehet normalitetit


Qyteti i Galvstonit në ishullit e shtetit Teksas u dëmtua rëndë nga uragani Ajk dhe aty ka ende mjaft punë për t’u bërë. Sipas kryebashkiakut të Galvstonit një e treta e banorëve të këtij qyteti humbën shtëpitë e tyre. Por shërbimet elementare në këtë qytet kanë rifilluar dhe banorët kanë filluar të kthehen dhe bizneset të rihapen.

Galvestoni është një qytet kontrastesh,ku bukuria e natyrës i zë vendin forcës shkatërruese të natyrës.

Banorët e hershëm thonë se do duhej më shumë se një stuhi që ata të largohen nga këtu. Luis Ualker po pastron para shtëpisë ku ajo ka banuar për 43 vite.

Ajo dhe familja e saj, sikur shumë të tjerë, janë të vendosur që të rregullojnë shtëpitë e tyre përkundër kërcenimeve vjetore nga stuhitë.

“Unë kam qenë këtu tërë jetën time dhe familja ime ka qenë këtu gjatë gjithë jetës së tyre, nëna dhe babai, gjyshërit, të gjithë. Kështu që nuk kam ndër mend të largohem.”

Zyrtarët e qytetit Galvston thonë se një e treta e banorëve në këtë qytet humbën shtëpitë e tyre pas uraganit Ajk.

Shtëpitë më të shkatërruara ishin ato afër bregdetit. Uji dhe era shkaktuan dëme të vogla tek shtëpitë larg bregut.

Por, spastrimi i materialeve të dëmtuara , i mykut dhe zëvendësimi i çdo gjëje të dëmtuar mund të vazhdojë për disa muaj.

Hoteli turistik San Luis është një ndër vendet që nuk u prek nga stuhia. Ky hotel me pamje në gjirin e Meksikës ishte ndërtuar në një pikë më të lartë të tokës ku ishte një fortesë e vjetër ushtarake. Sipas zëdhënësit Steve Greenberg, restoranti në këtë hotel i quajtur Landry’s Seafood House qëndrojë hapur tërë kohën.

"Ne shërbyem si bazë operimi për qytetin e Galvstonit, dhe vazhduam të punonim gjatë gjithë stuhisë”.

Mes atyre të cilët qëndruan këtu gjatë stuhisë dhe po mbikëqyrin rindërtimet është menaxheri i qytetit të Galvstonit, Steve LeBlank.

“Ne ende kemi shumë për të bërë, por ne po funksionojmë dhe ne dëshirojmë që turistet të kthehen në ishull dhe të shpenzojnë para dhe të kalojnë bukur”.

Një nga ngjarjet që mund të nxisë turistët të kthehen këtu është një grumbullim i motoçiklistëve dhe organizatorët thonë se ky aktivitet do të sjellë dhjetra milion dollarë

Ron Limbock është organizatori i këtij aktiviteti. Ai parashikon që pjesëmarrja të jetë rreth gjysëm milion njerëz edhe për faktin që motoçiklistët e shtetit Teksas e pelqejnë shumë këtë ishull.

“Hjuston ka të regjistruar 325 mijë motoçiklistë dhe janë shumë nga ata të cilët duan të ngasin motoçikletat gjatë bregut pasi është shumë bukur. Kështu që ne kemi shume nga fqinjët tanë të cilët do vijnë për të pushuar një ditë dhe për të përkrahur këtë ngjarje”.

Vizitorët do të shohin pamjet e shkatërrimeve që bëri uragani Ajk. Shumë nga anijet dhe barkat vazhdojnë të mbeten përgjatë rrugëve. Kamionët po punojnë pa ndalur për të larguar copërat e gjërave të shkatërruara në këtë vend afër urës pas bregut.

Edhe pse duhen muaj për të zhdukur pasojat e shkatërrimit të uraganit Ajk, zyrtarët e Galvestonit thonë se ky qytet po i kthehet normalitetit. //mm//

XS
SM
MD
LG