Lidhje

Jeta dhe vepra e biologut Xhorxh Shaler


Biologu amerikan 75-vjeçar Xhorxh Shaler e ka kaluar jetën duke studjuar kafshët e egra në më shumë se 25 vende, që nga gorillat e maleve e deri tek leopardët e borës, krokodilët dhe drerët e egër. Ai ishte njeriu që frymëzoi studiuesit Xhein Gudall dhe Dian Fosi për kërkime të këtij lloji. Këtë vit, zoti Shaler është fitues i çmimit prej 100 mijë dollarësh të Indianapolisit, nderi më i lartë që i bëhet një studiuesi për kontributin në ruajtjen e kafshëve.

Gorillat e malit ishin objekti i parë i studimeve të Xhorxh Shalerit. Në vitin 1959, në moshën 26-vjeçare, Shaler shkoi në Afrikën Qendrore për të jetuar mes kafshëve të egra për të cilat nuk dihej shumë.

“Detyra më e vështirë ishte t’i vëzhgoje kafshët pa i trembur ato. Prandaj, ngadalë i lë ato të mësohen me ty që, kur të të shohin, të mendojnë “oh, ja ku qenka ky prapë” dhe pastaj të vazhdojnë punën e tyre.” - thotë ai

Ky ishte fillimi i një jete plot zbulime. Në vitet 70, Shaler ishte një nga dy perëndimorët që arritën të shohin një leopard bore në Nepal, çka nuk ishte parë nga të huajt së paku për tre dekada. Në vitin 1988, ai dhe gruaja e tij ishin perëndimorët e parë që u lejuan në rajonin Çang Tang të Kinës për të studjuar pandat gjigande. Xhorxh Shaler dhe një biolog tjetër zbuluan një lloj të ri dhie në Laos në vitin 1994.

Megjithatë zoti Shaler thotë se studimi i kafshëve nuk është përparësia e tij. Ai mendon se ruajtja e tyre është më e rëndësishme.

“Nëse e do diçka dhe nëse ka diçka që duhet të mbetet si trashëgimi kulturore e një vendi, atëherë duhet të luftosh për të. Gjithçka që kemi, i gjithë civilizimi varet nga mjedisi, nga ajri i pastër, uji, toka dhe ushqimi. Dhe nëse komunitetet nuk fillojnë të luftojnë për një mjedis më të pastër rreth tyre, atëherë nuk ka shumë shpresa.”

Xhorxh Shaler ishte në Nju Jork ku mori çmimin e Indinapolisit, i dhënë nga parku zoologjik i qytetit për arritjet e tij si ambjentalist. Presidenti i parkut Majkëll Krauter.

“Ai është Xhorxh Uashingtoni i biologjisë konservuese. Tani ka breza njerëzish që janë rritur duke mësuar për këtë fushë nga Xhorxh Shaler.” thotë zoti Krauter

Zoti Shaler thotë se do t’i përdorë 100 mijë dollarët e çmimit për të trainuar ambjentalistët në të gjithë botën.

“Do të trainojmë njerëz të cilët do të kenë studentët e tyre në të ardhmen, dhe brez pas brezi kjo që kemi filluar do të përhapet në vend. Dhe kështu mund të lë pas diçka që do të jetë e vlefshme edhe kur të gjithë të më kenë harruar.” - thotë biologu Xhorxh Shaler. //mm//

XS
SM
MD
LG