Lidhje

Irak: Kabineti miraton marrëveshjen ushtarake me Shtetet e Bashkuara


Këshilli i Ministrave i qeverisë irakiane miratoi një pakt ushtarak tre vjeçar me Shtetet e Bashkuara megjithë kundërshtimet e forta nga udhëheqësit shiitë. Marrëveshja, e cila zëvëndëson mandatin e OKB-së që skadon në fund të dhjetorit duhet të ratifikohet nga parlamenti irakian.

Kabineti irakian miratoi me shumicë të ndjeshme votash një pakt të ri ushtarak me Shtetet e Bashkuara pas disa javë debatesh të ashpra dhe kundërshtimesh të forta nga disa udhëheqës shiitë me influencë në vend. Sipas zëvendës-zëdhënësit të parlamentit irakian marrëveshja tre vjeçare do të hidhet në votë në parlamentin irakian në 24 nëntor. Pakti i ri, i cili bën thirrje për tërheqjen e plotë të trupave amerikane deri në fund të vitit 2011, do të zëvëndësojë mandatin e OKB-së, afati i të cilit skadon në fund të këtij viti.

Zëdhënësi i qeverisë irakiane Ali Debag vuri në dukje kushtin në këtë pakt që të gjitha trupat amerikane duhet të tërhiqen nga Iraku deri në fund të vitit 2011, edhe pse ai tha se në vitin 2011 qeveria do të arrijë një marrëveshje të re me Shtetet e Bashkuara. Sipas zotit Debag shumica e ministrave të pranishëm votuan pro marrëveshjes. Zoti Debag foli për debatet e ashpra të deritanishme në qeverinë irakiane dhe mes koalicionit qeverisës shiit mbi miratimin e paktit por ai përsëriti se të gjitha mosmarrëveshjet ishin zgjidhur.

Zoti Debag tha se pakti ishte diskutuar nga të gjitha forcat e përfaqësuara në qeverinë irakiane gjatë një takimi që u zhvillua ditën e shtunë me kryeministrin Nuri al Maliki dhe se të gjithë të pranishmit u shprehën se ishte arritur një marrëveshje. Në mbledhjen e jashtzakonshme të së dielës, vetëm një nga 28 anëtarët e kabinetit qeveritar irakian votoi kundër paktit, ndërsa nëntë anëtarë nuk morën pjesë fare në votim.

Zëdhënësi i ambasadës amerikane në Irak, Adam Ereli i tha agjensisë Associated Press se votimi ishte një hap i rëndësishëm dhe pozitiv. Kryenegociatori i paktit, Kështilltari për Siguri Kombëtare i Irakut, Muvafaq al-Rubaie, tha para votimit se ai besonte që marrëveshja ishte e mirë dhe se priste që parlamenti ta ratifikonte atë.

Kundërshtimet e ashpra nga kleriku shiit Moktada al Sadër dhe nga udhëheqës të tjerë shiitë që kanë lidhje të ngushta me Iranin e kishin vënë në rrezik miratimin e paktit. Kleriku Sadër njoftoi të premten se ai po krijonte një forcë të re ushtarake për të luftuar Shtetet e Bashkuara që ai do ta quante “Brigadat e Ditës së Premtuar”. Zoti Sadër kërkoi nga Shtetet e Bashkuara të largoheshin nga Iraku pa lënë prapa baza ushtarake.

Televizioni shtetëror iranian e quajti votën fitore për qeverinë e kryeministrit al-Maliki, që siç u tha "imponoi idetë e veta tek i tërë spektri politik në vend”. Irani ka shprehur prej kohësh kundërshtitë e veta ndaj paktit dhe ka thënë si ai kërcënon sigurinë dhe stabilitetin e Iranit. //ad//

XS
SM
MD
LG