Lidhje

Parlamenti shtyn shqyrtimin e kodit te ri zgjedhor


Deputetët grevistë kanë hyrë në ditën e shtatë të protestës së tyre. Gjendja shëndetësore bëhet gjithnjë e më problematike. Por qëndrimi i tyre vazhdon të mbetet i njejtë, për të mos hequr dorë deri në ndryshimin e formulës së propozuar për komisionet zgjedhore. Ata i përmbahen dy propozimeve të bëra: ose komisionet të jenë tërësisht teknike ose në to të përfaqësohen të gjitha grupimet politike parlamentare.

Nga dy partitë më të mëdha nuk ka asnjë sinjal se mund të lëshohet pe.

Socialistët u shprehën sot qartë se nuk pranojnë imponime: “As në eksperiencat më të mira perëndimore nuk figurojnë raste konsensusesh me 100% kur është fjala për reformën zgjedhore. Ne kemi argumentat tona, të tjerë kanë argumentat e tyre. Le t'i ballafaqojmë qetësisht përpara qytetarëve. Qëllimi ynë nuk është të imponojmë një qëndrim tonin në dëm të dikujt, po të formulojmë një qëndrim sa më të drejtë në interes të publikut. Le ta kuptojnë kolegët tanë parlamentarë se mllefi nuk është alternativë, se një qëndrim nuk imponohet me zor po me argumenta”, tha Valentina Leskaj.

Nga ana e tij kryeministri Sali Berisha, të paktën në pjesën publike të mbledhjes së grupit të deputetëve të tij nuk e preku fare çështjen e kodit dhe grevës.

I vetmi ndryshim i sotëm është spostimi me 24 orë i seancës parlamentare të pasdites ku do të duhej të merrej në shqyrtim kodi i ri elektoral. Motivimi i dhënë është se shtyrja e seancës u bë që t’i jepej më shumë kiohë deputetëve të njiheshin me kodin. Por ky vendim mund të jetë marrë edhe për të evituar zhvilimin e një seance nën trysnin e protestave të parlajmëruara për sot pasdite në hyrje të parlamentit.

Nga ana tjetër jo pak konfuzion shkaktuan edhe dy qëndrime të ndryshme të OSBE-së. Fillimisht ambsadaori Robert Bosch duke folur për rekomandimet e bëra pas zgjedhjeve të 2005 kujtoi se ato kërkonin që administrimi i zgjedhjeve duhej të ishte pluralist dhe përfshirës dhe se nuk duhet të kishte elementë diskriminues në kod.

Sipas tij kodi kishte gjëra aspak korekte dhe që kishin nevojë për përcaktime të qarta:

“Shpresoj se projekti i kodit elektoral duhet të diskutohet gjatë në komisionin e ligjeve e më pas në parlament. Shpresoj të mos anashkalohet sepse projekti actual ka shumë për të diskutuar sepse nuk është saktësisht një document i shkëlqyer. Eshtë në proces e sipër. Nuk ka përfunduar. Duhet të diskutohet si normalisht. Dhe shpresoj se kjo do të ndodhë”, tha zoti Bosch.

Madje ai preku dhe pikën delicate të përbërjes së komisioneve duke thënë se edhe formula 3 3 1 mund të cojë në përfaqësimin e 6 partive dhe jo domosdoshmërisht të 2 partive.

Por dy orë më pas ky qëndrim i tij u pasua nga një deklaratë sqaruese nga OSBE sipas së cilës projekti i Kodit Zgjedhor, i cili është përgatitur nga vetë shqiptarët, është një arritje, por se ai ka ende nevojë për t’u akorduar më mirë.

Për këtë arsye, ai duhet të diskutohet në forumin e duhur nga partitë, por pa presion nga ndonjë grupim.

OSBE-se thekson serish se Kodi, si ne cdo demokraci, do tejete vendim i Parlamentit shqiptar, përfundon deklarata. //rd//

XS
SM
MD
LG