Lidhje

SHBA, Iraku nënshkruajnë marrëveshje për tërheqjen e trupave


Zyrtarët irakianë dhe ata amerikanë nënshkruan një marrëveshje për t’i dhënë fund pranisë ushtarake amerikane në Irak.

Ambasadori amerikan në Irak, Rajën Krakër, e përshkroi si “historike” marrëveshjen e sigurisë, që u nënshkrua sot. Kjo marrëveshje, në bazë të së cilës forcat luftarake amerikane do të tërhiqeshin deri në qershor të vitit të ardhshëm dhe të gjitha trupat amerikane deri në fund të vitit 2011, i jep fund politikës amerikane afat gjatë kundër caktimit të afateve për tërheqje nga Iraku.

Marrëveshja, e cila zëvëndëson një mandat të OKB-së, që meret me praninë amerikane, po debatohet në parlamentin irakian, ku duket se gëzon mbështetje e shumicës. Ajo kundërshtohet nga kleriku radikal shiit Moqtada al-Sadr dhe përkrahësit e tij në parlament, të cilët dënuan miratimin nga kabineti të marrëveshjes dhe u bënë thirrje përkrahësve të klerikut që ta hedhin poshtë atë.

Nëse miratohet nga parlamenti, marrëveshja do të bënte që për herë të parë irakianët të kenë autoritet mbi operacionet ushtarake amerikane. Marrëveshja kërkon gjithashtu që ushtria amerikane të kërkojë lejen e qeverisë irakiane për të bërë kontrolle nëpër shtëpi. Ajo i jep gjithashtu Irakut një farë autoriteti juridik lidhur me krime serioze të kryera nga ushtarët amerikanë në detyrë.

Marrëveshja u miratua pas gati një vit negociatash të vështira dhe 6 javë para skadimit të mandatit të tanishëm të Kombeve të Bashkuara.

Shtëpia e Bardhë tha se marrëveshje nuk ka nevojë për miratimin e kongresit amerikan. (ze)

XS
SM
MD
LG