Lidhje

Pas lojrave olimpike Pekini vazhdon betejën për mjesidin


Gjatë lojrave të fundit Olimpike verore në Pekin, njerëzit prisnin të shikonin se si do t’i zgjidhte Kina çështjet e mjedisit për ta bërë Pekinin, një ndër qytetet më të ndotur të botës, të përshtatshëm për zhvillimin e garave. Dhe në fakt, Kina mori një sërë masash, të cilat sollën përmirësimin e cilësisë së ajrit, duke e çuar atë në nivelin më të lartë në një dekadë. Tani që lojrat kanë përfunduar, a do të vazhdojë Kina ta ruajë këtë rekord, ashtu si rekordin për medaljet e arta që mori?

Para Olimpikeve, Pekini ishte tmerr për nga ndotja e ajrit: një perde bloze varej kudo mbi qytet. Por me hapjen e lojrave, turistët vërshuan për të marrë fotografi të Stadiumit Kombëtar dhe buzëqeshnin nën qiellin pa re.

Për të arritur deri këtu, organizatorët e Olimpiadës mbyllën shumë uzina dhe ndaluan qarkullimin e rreth një të tretës nga tre milionë makinat e qytetit. Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim thotë se Olimpiada ndihmoi për të sjellë ndryshim në kryeqytet. Drejtori i PNUDit në Kinë Khalid Malik.

"Autoritetet e bashkisë së Pekinit e kanë thënë qartë se e shohin këtë si fillim dhe jo si fund".

Pas largimit të atletëve, ndalimet për qarkullimin e makinave nuk ishin më aq të rrepta. Autoritetet kërkojnë tani që njerëzit të mos përdorin makinat vetëm një ditë në javë për një periudhe gjashtë mujore.

Në rrugët e qytetit qarkullojnë një mori autobuzësh publikë, me gaz natyror. Biletat janë ulur gati 60 përqind për të inkurajuar përdorimin e tyre. Në kryeqytet janë hapur katër linja të reja metroje.

Gjatë lojrave, banorët e Pekinit shijuan ajrin më të pastër në një dekadë. Ata shpresojnë se qyteti do të vazhdojë të jetë i pastër dhe i gjelbër edhe tani pas lojrave olimpike.

"Gjatë lojrave shikoje kudo qiellin blu, por tani vetëm pak muaj pas tyre, koha e keqe është kthyer përsëri. Shpresoj që qeveria të bëjë diçka për ta rikthyer atë pamje".

Kina po industrializohet më shpejt se çdo vend tjetër dhe është një nga ndotësit më të mëdhenj të botës. Grupet e mjedisit shpresojnë që politikat miqësore të Pekini për mjedisin të jenë model për pjesën tjetër të vendit. Lo Së Ping drejton fushatën e grupit ambjentalisht Greenpeace për Kinën.

"Greenpeace shpreson që këto masa dhe teknologji të mos kufizohen vetëm në Pekin por të përhapen në qytetet e tjera kineze pas 2008-s".

Ky është edhe objektivi i ekspertëve të shëndetësisë në Kinë. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vetëm nga ajri i ndotur, më shumë se 600 mijë njerëz në Kinë vdesin çdo vit para kohe. //iç//

XS
SM
MD
LG