Lidhje

Presidenti i zgjedhur Obama, nën presionin e dy kaheve politike


Këshilla më e dëgjuar për Barak Obamën kur të vijë në Shtëpinë e Bardhë në janar, është që të “qeverisë nga qendra.” Në Uashington ky është një term i përsëritur shpesh, kur diskutohet politika dhe nënkupton një prirje për bashkëpunim nga ana e partisë në pushtet me partinë në pakicë në Kongres. Por çfarë nënkupton për zotin Obama një administratë e qendrës për 4 vitet e ardhshme:

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nensi Pelozi ishte një ndër ata që tha se Presidenti i ardhshëm Obama, do të duhet të dëgjojë sugjerimet e të gjitha palëve, që nga liberalët e deri tek konservatorët, dhe të mbajë një qëndrim të qendrës.

"Secila palë e spektrit shpreson se mund të ndikojë tek vendimi. Por, siç mendoj unë, Presidenti i zgjedhur duhet të mbajë një qëndrim të qendrës, ndërsa udhëheq vendin në të ardhmen, për të zgjidhur problemet, për të siguruar besimin e amerikanëve, që të ndjekim një drejtim të ri"

Republikanët kanë qenë pakica në Kongres që prej 2 vjetësh. Zgjedhjet e 4 nëntorit rezultuan në humbje të tjera për republikanët në të dyja Dhomat e Kongresit, përveç faktit që ata humbën edhe Shtëpinë e Bardhë. Barak Obama siguroi 53 për qind të votës popullore dhe 2 herë më shumë vota të kolegjit elektoral se Xhon Mekein.

Në zgjedhjet e mëparshme presidenciale, 37 për qind e zgjedhësve thanë se ishin demokratë. Një përqindje e njëjtë shprehu mbështetje për republikanët. Këtë vit 32 për qind e votuesve thanë në komentet për median se ishin republikanë. Ndërsa, 39 për qind e tyre ishin demokratë.

Megjithatë, siç kanë vënë në dukje shumë analistë, të njëjtat anketa tregonin se bindjet politike nuk kanë ndryshuar shumë gjatë 4 vjetëve të fundit.

22 për qind e votuesve këtë vit thane se ishin liberalë, ndërsa 44 për qind e cilësuan veten si të moderuar. Shifrat ishin thuajse identike me ato të zgjedhjeve të mëparshme. Po ashtu edhe segmenti republikan në elektorat, 34 për qind, mbeti i pandryshuar.

Brian Darling është analist me Fondacionin Heritage në Uashington:

"Anketat e zhvilluara me zgjedhësit që sapo kishin hedhur votat tregonin se amerikanët ende e konsiderojnë veten deri diku konservatorë. Ky është një vend që anon nga e djathta e qendrës. Për këtë arsye presidenti i zgjedhur Obama duhet ta ketë të qartë se nuk mund të marrë masa që do të ofendonin shumë amerikanë, si për shembull të miratojë ligje që u heqin amerikanëve të drejtën për të mbajtur armë, apo masa për të miratuar të drejtën e homoseksualëve të martohet."

Presidenti demokrat Bill Klinton kishte një shumicë demokrate në Kongres kur u zgjodh fillimisht president në vitin 1992. Megjithatë, dy vjet më pas, votuesit ia kthyen kontrollin e degës legjislative republikanëve.

Tani republikanët po analizojnë hapat që u duhet të ndërmarrin për të rifituar besimin e votuesve, si përshembull për të tërhequr më shumë afrikano-amerikanë, hispanikë dhe gra e shtresa të varfra. Shumica e votuesve nga këto segmente votuan për zotin Obama.

Guvernatori i Luizianës Bobi Xhindal, biri i imigrantëve nga India, është një politikan shumë premtues në Partinë Republikane. Shumë popullor është edhe guvernatori i Minesotës Tim Pawlenty. Por shumë republikanë, kur i hedhin sytë drejt së ardhmes, kanë në mendje guvernatoren e Alaskës Sara Pejlin, e cila ishte kandidatja republikane për nënpresidente. Ajo gëzon mbështetje të konsiderueshme mes konservatorëve nga pikëpamja sociale. Megjithatë, siç e treguan edhe zgjedhjet e fundit, tërheqja e republikanëve të moderuar dhe votuesve të pavarur, do të kërkojë nga republikanët një mesazh shumë më afër qendrës së spektrit politik. //ad//

XS
SM
MD
LG