Lidhje

Kalifornia dhe ligji kundër martesave të homoseksualëve


Votuesit në Kaliforni miratuan një ligj të debatueshëm në zgjedhjet e fundit presidenciale që i jep fund martesave mes homoseksualëve në këtë shtet. Masa të ngjashme janë miratuar në Arizona dhe Florida. Ka patur protesta kundër ndalimit të martesave të homoseksualëve në qytetet kryesore amerikane dhe janë ngritur padi për ta rrëzuar atë. Edhe pse ky është tani ligj në Kaliforni, debati nuk ka përfunduar dhe është përhapur në mbarë vendin.

Në muajin maj Gjykata e Lartë e Kalifornisë lejoi martesat brenda të njëjtit seks, kur shfuqizoi një masë të mëparshme të quajtur ligji 22. I miratuar nga votuesit në vitin 2000, ligji 22, theksonte se vetëm martesat mes burrit dhe gruas janë të ligjshme në Kaliforni.

Gjykata e Lartë duke e kundërshtuar atë, tha se ky ligj binte në kundërshtim me klauzolat për të drejta të barabarta të sanksionuara në kushtetutën e Kalifornisë. Që nga ky vendim ka patur më shumë se 18 mijë martesa mes homoseksualëve në Kaliforni duke filluar nga qershori. Kundërshtarët e këtij ligji u mobilizuan përsëri, duke grumbulluar mijëra firma për një masa tjetër të quajtur ligji 8, i përfshirë në fletët e votimit të nëntorit. Ky ligj synonte ta mbyllte këtë çështje përgjithmonë.

Ligji 8 do të amendojë kushtetutën e shtetit për ta përkufizuar martesën si një bashkim mes burrit dhe gruas. Ligji u miratua me 52 përqind të votave. Rezultati e zhgënjeu Eric Fisher dhe partnerin e tij Richard West të cilët u martuan më 1 korrik.

"Ishim me fat që u martuam në atë hark kohor kur martesat mes homoseksualëve ishin të ligjshme. Por kishte shumë njerëz që nuk ishin gati në atë kohë. Dhe tani, zhgënjimi ynë është se ndoshta njerëzit nuk do të jenë asnjëherë gati."

Gjykatat do të vendosin tani statusin e martesave të të njëjtit seks të bëra mes qershorit dhe fillimit të nëntorit. Prokurori i përgjithshëm i Kalifornisë Jerry Brown beson se ato janë ende të vlefshme.

"Tani, faktet që ka Prokurori i Përgjithshëm janë një gjë. Çështja do të varet sigurisht nga Gjykata e Lartë e Kalifornisë."

Dy shtete amerikane i lejojnë martesat e të njëjtit seks – Masaçusets dhe Kënektikat, dhe tre të tjera, Nju Xhersi, Nju Hempshër dhe Vermonti lejojnë lidhje civile. Një numër shtetesh përfshi Kaliforninë, lejojnë partneritete të veçanta që u japin atyre të drejta të kufizuara çifteve homoseksuale.

Në zgjedhjet e fundit, Arizona dhe Florida miratuan ligje si Kalifornia që ndalojnë martesat mes homoseksualëve. Mijëra demonstrues marshuan në Kaliforni për të protestuar ligjin 8. Simpanizantë të tyre marshuan në Çikago, Boston, Portland dhe qytete të tjera amerikane. Në Pasadena në Kaliforni, e përndermshja Zelda Kennedi e Kishës Episkopale të të gjithë Shenjtorëve kritikoi mbështetësit e ligjit 8 në një miting në kishën e saj.

Analistët politikë thonë se numri i madh i votuesve të komuniteteve pakicë kontribuojë në miratimin e ligjit. Më shumë se gjysma e popullsisë latinase në Kaliforni dhe 70 përqind e afrikano amerikanëve e mbështetën atë. Zonja Kennedi e cila është afrikano amerikane thotë se ky fakt e zemëron.

"Ajo që po ndodh me vëllezërit dhe motra tona, ndodhi me ne. Ne ndoshta nuk do të jemi në gjendje ti ndjejmë pasojat menjëherë, por do të na ndikojë në një periudhë afatgjatë."

Derek Whitefield dhe Gary Dahle që u martuan në Kaliforni në shtator thonë se kanë tani familjen e tyre Whitefield, që është avokat, thotë se homoseksualët kanë të njëjta të drejta të martohen si heteroseksualët.

"Të jesh homoseksual nuk është zgjedhja jote. Është diçka e lindur."

Kundërshtarët e gjithit kanë ngritur padi për ta rrëzuar atë dhe thonë se beteja do të vazhdojë në gjykata dhe kutitë e votimit. Përkrahësit e ligjit thonë se ai reflekton vullnetin e njerëzve dhe ata parashikojnë se ai do tu rezistojë sfidave në gjykata. //ad//

XS
SM
MD
LG