Lidhje

Mijëra vetë protestojnë në Prishtinë kundër planit të OKB-së


Mijëra vetë po protestojnë në Prishtinë kundër një plani të Kombeve të Bashkuara, i cili siç thonë ata do ta ndante vendin sipas përkatësive etnike.

Protestuesit dolën sot në rrugët e kryeqytetit, në mbështetje të drejtuesve të vendit që e kundërshtojnë planin që vendos kushte për dislokimin e forcës së re paqeruajtëse të Bashkimit Evropian në Kosovë.

Plani që mbështetet nga Beogradi dhe OKB-ja do të krijonte komanda të veçanta për forcat e policisë serbe dhe shqiptare në Kosovë. Forcat e policisë në zonat shqiptare do të raportonin tek misioni i ri i BE-së, ndërsa policia në zonat me shumicë serbe do t’i raportonte zyrtarëve të Kombeve të Bashkuara.

Shqiptarët thonë se plani do të thotë që krijohen dy sisteme administrimi në Kosovë, si edhe se një gjë e tillë do t’i jepte Serbisë ndikim të tepërt në çështjet e brendshme të Kosovës.

Por serbët thonë se nuk do ta pranojnë forcën e re të Bashkimit Evropian nëse nuk miratohet plani prej gjashtë pikash. (ze)

XS
SM
MD
LG