Lidhje

Harlemi dhe identiteti i tij kulturor


Lagja e Harlemit në qytetin e Nju Jorkut prej kohësh është njohur si epiqendra e kulturës dhe krijimtarisë afrikano-amerikane. Por sot aty po dyndet një numër i madh njerëzish të klasës së mesme dhe të pasur prandaj banorët po shtrojnë gjithmonë e më shpesh pyetjen nëse Harlemi rrezikon ta humbasë identitetin e tij kulturor.

Që nga fundi i viteve 90, Harlemi po kalon nëpër një proces ndryshimi ekonomik dhe social ku të pasurit e bardhë gradualisht po zenë pozita dominuese. Në Manhatan, çmimet e banesave kanë shkuar në qiell prendaj shumë njerëz kanë filluar ta hedhin vështrimin drejt lagjeve veriore ku qeratë janë më të ulta dhe jetesa më e lirë. Sipas zyrës për regjistrimin e popullatës, mes viteve 1990 dhe 2005, përqindja e banorëve të bardhë në Harlem u rrit nga 1,5 në 4,3. Në maj të vitit 2008, u miratua një plan urbanistik, i cili lejon ndërtimin e apartamenteve dhe të një ndërtese 21-katëshe zyrash në qendrën kryesore tregtare të Harlemit.

Një pjesë e banorëve ishin kundër planit urbanistik, të shqetësuar se ndryshime të tilla do ta prishnin karakterin kulturor të lagjes. Megjithë dyndjen e banorëve të rinj, kriza e fundit financiare që përshiu Shtetet e Bashkuara goditi edhe Harlemin.

Belinda M'Baye, e cila punon për kompaninë e pronave të patundëshme Harlem Homes, thotë se mes banorëve tradicionalë të Harlemit ka një farë keqardhjeje për faktin se këta banorë nuk po përfitojnë nga vala e re e urbanizimit.

"Kjo që po ndodh në Harlem është diçka e mirë dhe e bukur. Rrugët tani janë gjallëruar dhe mendoj se njerëzit përgjithësisht janë të gëzuar me këtë. Por ata nuk marrin dot pjesë në këtë proces që ndodh rreth tyre dhe prandaj ndjejnë keqardhje. Është më tepër keqardhje se sa zemërim."

Ndërsa Karima Harris e cila është rritur në Harlem, thotë se nuk është e drejtë që banorët e hershëm të kësaj zone po zhvendosen.

"Mendoj se nuk është e drejtë për ata që banojnë prej vitesh në këtë lagje. Problemet e sotme ekonomike e bëjnë më të vështirë që njerëzit të largohen prej këtej. Nuk jam dakord që të porsa ardhurit qofshin nga jashtë apo brenda Amerikës, të vijnë këtu dhe të marrin shtëpitë ku kanë jetuar të tjerët."

Megjithatë kjo nuk po i ndalon njerëzit të vijnë me shumicë në Harlem. Vitet e fundit në Harlem janë hapur shumë dyqane dhe restorante të rinj, si Settepani - në Lenox Avenue apo Hudson River Cafe në rrugën 133. Natyrisht, ndërtesat historike që e shquajnë harlemin si Teatri Apollo apo kafeneja Lenox Lounge, janë ende provë e së kaluarës së Harlemit. Pronari i kafenesë është Alvin Reed, i rritur në Harlem. Ai thotë se banorët e dinë Harlemi nuk do të jetë më si më parë dhe ata nuk duan që ai ta humbasë sharmin e tij.

"Të porsaardhurit nuk duan që Harlemi të humbasë shpirtin e tij. Shumë prej tyre vijnë këtu pikërisht për këtë arësye. Këta janë njerëz të cilët nuk kanë frikë nga ato që dëgjojnë të thuhet për Harlemin."

Ajo që dihet me siguri është se ndryshimi tashmë ka zbritur në Harlem dhe banorët vendas nuk kanë rrugë tjetër veçse të përshtaten. Gjë që, natyrisht, për ata është e thjeshtë të thuhet por e vështirë të kapërdihet. (ze)

XS
SM
MD
LG